Cana, lojtari më i shtrenjtë dhe më i paguar ndër shqiptarët
Portali sportiv italian “Sport Mediasset”, pas një studimi të detajuar, ka publikuar listën e 500 futbollistëve që luajnë në klube të ndryshme të Europës dhe që në fund të sezonit konsiderohen alternativa të mundshme në merkaton e verës. Në këtë listë të gjerë janë përfshirë të paktën 8 lojtarë të kombëtares shqiptare, për të cilët jepen shifrat e vlerës së kartonit si dhe shumës që përfitojnë brenda një sezoni, detaje këto që u vlejnë skuadrave të interesuara për shërbimet e tyre.
Kështu futbollisti kuqezi që ka vlerën më të lartë të kartonit, është Lorik Cana i Lazios, kartoni i të cilit mund të blihet për 6 milionë euro, ndërsa shuma që 29-vjeçari përfiton çdo vit është 1.7 milionë euro. Pas Canës vjen portier 24-vjeçar i Palermos, Samir Ujkani, i cili vlerësohet 3 milionë euro me një rrogë vjetore 350 mijë euro. Migjen Basha i Torinos, i ditëlindjes 1987, e ka çmimin e kartonit 1.5 milionë euro, ndërsa rroga e tij arrin shifrën 300 mijë euro në sezon. I transferuar në Janar te Katania, kartoni i Edgar Çanit vlerësohet 1 milionë euro, ndërsa përfitimi vjetor i vetë futbollistit kap shifrën e 150 mijë eurove.
Për të blerë mbrojtësin e Empolit, Elseid Hysaj, duhet të paguash 900 mijë euro, ndërsa rroga e tij aktuale është 20 mijë euro në sezon deri më 2015-ën. 600 mijë Euro kushton kartoni i Jahmir Hykës, i cili përfiton 200 mijë euro në sezon te Luçerne në kampionatin zvicerian.
Erjon Bogdani dhe Armando Sadiku, kontrata e të cilëve me Sienën dhe Luganon skadon në përfundim të sezonit mund të merren me parametër zero, ndërsa rroga e dy sulmuesve është 250 mijë euro për 36-vjeçarin tiranas dhe 100 mijë euro për 22-vjeçarin nga Elbasani.
Ajo që vihet re në këtë listë të gjatë të lojtarve shqiptarë dhe shifrave që ata përfitojnë ose të vlefshmërisë së kartonit të tyre është se në vitet e fundit është rritur jo vetëm numri i shqiptarëve në skuadrat Europiane por edhe vlera e kartonit të tyre si dhe të ardhurat që ata përfitojnë në klubet respektive ku ata luajnë.