E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana ndihmon 500 familje të varfra në Gjakovë

Ambasadori i UNICEF-it, futbollisti i shquar shqiptar, Lorik Cana do t'i dorëzojë Kryqit të Kuq Komunal të Gjakovës miell dhe nga një pako ushqimore për 500 familje të varfra, dhurata këto që do tu jepen në prag të Festës së Bajramit.

Edhe me këtë rast u dëshmua humaniteti i madh i Lorikut për familjet e varfra, për çka ne, në emër të familjeve nevojtare, i jemi mirënjohës, tha të mërkurën Dushe Basha-Lama, koordinatore e Kryqit të Kuq të Gjakovës.

Ajo ka bërë të ditur se në procedurë është hartimi i listës së familjeve që kanë më së shumti nevojë, ndërsa numri i atyre familjeve që i janë drejtuar KK të Gjakovës për ndihma në ushqim, veshmbathje dhe lëndë djegëse është 580 sish.

Ditë më parë, Lama ishte ankuar se në kuadër të Muajit të Solidaritetit kishte pak prurje të ndihmave.

Lorik Cana, futbollist i Sunderland-it në Premier Ligën angleze dhe njëkohësisht futbollist i Kombëtares së Shqipërisë, edhe në shumë raste tjera është treguar solidar, duke u ndihmuar fëmijëve, të varfërve dhe sportistëve kosovarë.
(KosovaLive)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›