E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja në krizë

Dy dekada pas rënies së murit të Berlinit, Europa duket se po përgatitet për një moment tjetër të rëndësishëm të ndryshimeve historike. Së fundi, udhëheqësit e Unionit u tubuan në Bruksel për të kërkuar një rrugë përpara, sa i përket ratifikimit të Traktatit të Lisbonës. Përpjekjet e tyre u shpërblyen më 3 nëntor me nënshkrimin e Traktatit nga ana e presidentit të Çekisë, Vaclav Klaus.

A do ti mundësojë Traktati BE-së të luajë një rol më aktiv në çështjet ndërkombëtare? Përtej Atlantikut, dy ish-kryesues të shteteve në Europë, tani akademikë në Institutin Watson për Studime Ndërkombëtare, iu adresuan gjithashtu çështjes së unitetit të Europës.

Ish-kryeministri i Italisë dhe ish-presidenti i Komisionit të Europës, Romano Prodi, përkujtoi se të arriturat e BE-së kanë qenë të jashtëzakonshme.

Gjashtë shtete në vitin 1957 filluan përpjekjet për bashkimin e Europës. Pesë dekada më vonë, BE-ja përbëhet nga 27 shtete. Prodi theksoi se ky rekord i jashtëzakonshëm i zgjerimit, me ndihmën e procesit demokratik, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në historinë e botës.

Por, kriza, me të cilën po përballet BE-ja, është rezultat i suksesit historik të Unionit.

Alfred Gusenbauer, ish-kancelar i Austrisë, kërkoi që BE-ja të mos konsiderohet si një etnitet gjeografik, por më parë si një projekt politik. Ajo ka dalë në sipërfaqe si një përpjekje për të shëruar plagët e Luftës së Dytë Botërore, në veçanti për të zbutur tendosjet mes Gjermanisë dhe Francës. Përpjekjet për zgjerim kishin për qëllim që të stabilizojnë demokracitë e reja, siç ishin Greqia, Spanja dhe Portugalia.

Por, a do të zgjerohet Europa deri në pafundësi? Prodi është i mendimit se shtetet anëtare të Unionit janë bërë më konservatore pas prosperimit të tyre në kuadër të komunitetit të Europës. Si Prodi ashtu edhe Gusenbauer, e parashikojnë absorbimin e Ballkanit Perëndimor si fazë të radhës të zgjerimit për të minimizuar efektet e luftërave në ish-Jugosllavi. Kjo do të mund të hapte rrugën për pranimin e shteteve tjera të anëtarësuara, siç janë Turqia dhe Ukraina.

Përderisa BE-ja ka dëshmuar një rekord të jashtëzakonshëm në fushën e zgjerimit, institucionet për integrim kanë mbetur prapa. Prodi ankohet për mungesën e politikës së përbashkët ekonomike, energjetike dhe të jashtme, politika këto të cilat BE-së do ti mundësonin që në fushën e çështjeve globale të luante rolin e aktorit e jo të spektatorit.
Ai e konsideron si domosdoshmëri unitetin më të madh të Europës. Bota po ndryshon. Nuk është kjo bota e njëjtë si ajo para një gjenerate. Po hyjmë në një epokë, në të cilën problemet nuk mund të zgjidhen nga një shtet, theksoi Prodi.

A mund të përballet Europa me sfidat e shekullit të 21-të me një reagim të qartë dhe koherent? . Shtetet e ndryshme kanë perceptim të ndryshëm për atë se si duhet të duket BE-ja, tha Gusembauer.

Cilat janë parakushtet e nevojshme për një BE më të fuqishme. Prodi theksoi se rregulloret për unanimitet duhet të forcohen edhe më shumë. Gusenbauer thotë:Nga Nica deri në Lisbonë kemi shpenzuar një dekadë për të gjetur unanimitetin. Kjo krijon përshtypjen se kemi shpenzuar kohën, duke u marrë me çështje kushtetuese e jo me çështjet të cilat kanë të bëjnë me njerëzit.

Ai më tutje shtoi:Për hapin e ardhshëm të integrimeve evropiane nevojitet energji politike. Kjo energji aktualisht nuk ekziston. Ajo nuk do të vijë nga brenda, ajo mund të vijë nga jashtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›