Cana nuk dorëzohet: "S‘është e pakapërcyeshme"
Marseja është më në rrezik në eliminimin nga Kupa UEFA, pas asaj humbjeje 2-0 në shtëpinë e Shaktjorit Donjetsk. Rezultati është jashtëzakonisht komod për ukrainasit, ndërkohë që menjëherë pas ndeshjes, në qendër të kritikave të shtypit francez ishte pikërisht kapiteni shqiptar i marsejezëve, Lorik Cana. Ironik ishte titulli i "Football.fr", i cili pyeste "Om: Ku ishte Lorik Cana?". "Askush nuk e di se ku ishte Cana, i cili duhej të ishte në fushim... shtjellohej më tej ky shkrim. Të flasim seriozisht, në të vërtetë ai ishte në fushë, të paktën me trup, por mendja e tij ishte diku larg... Nga lojtari lider i Marsejës, ai u shndërrua në një futbollist të braktisur! Dukej sinqerisht i frikësuar! I mungoi efektiviteti! Ne të gjithë shpresojmë se ndeshja e kthimit të jetë ndryshe, edhe pse do të jetë një detyrë e vështirë", përfundon shkrimi i "Football.fr.". Një tjetër gazetë vendase me titullin në shkrimin e saj: "Cana dhe ruleta ukrainase". Por vetë shqiptari nuk ka ndërmend të dorëzohet kaq shpejt dhe beson se në ndeshjen e kthimit janë të gjitha mundësitë që gjithçka të ndryshojë. Pavarësisht dy golave diferencë, Olimpiku ka ende shpresë për kualifikim drejt gjysmëfinaleve të Kupës UEFA. "Do të jetë e vështirë, por ne kemi eksperiencë në Kupat e Evropës, prandaj mendoj se nuk është rezultat i pakapërcyeshëm. Në ndeshjet e kthimit do të demonstrojmë ambiciet tona", nënvizoi Cana në një konferencë për shtyp.