E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur "çmenden" demokratët!

Të rrëfesh paradokset moderne "made in Albania" është kaq e lehtë, por edhe e vështirë. E lehtë, sepse ato vërehen lehtësisht. E vështirë për të kuptuar pse ndodhin dhe cilat janë arsyet. Më duhet të gjykoj çështjen e modernitetit, pasi ne shqiptarët tentojmë të jemi modernë, por në fakt të tillë nuk mund të quhemi, sepse moderniteti perëndimor, pas të cilit synojmë të arrijmë, nuk bën përjashtime ndaj tjetrit ndryshe. Para disa kohësh, ishim dëshmitarë të rastit të ndalimit të pajisjes me karta të identitetit të vajzave me shami. Me një deklaratë të zv.ministrit të Brendshëm, u deklarua se asnjë vajzë nuk do të lejohet të fotografohet me shami. Vërtet që ne do të ishim vendi që do ta habisnim Evropën, ku për hir të vërtetës, myslimanët, edhe pse janë emigrantë, gëzojnë më shumë të drejta se myslimanët në Shqipëri që janë autoktonë. Rasti i shamisë përsëritet në një ministri tjetër, ajo e Arsimit. Këtë gjë e bëjnë ata që kanë mbetur mbrapa në ide e në mendime, e sigurisht sepse janë rritur me "fenë" e Enver Hoxhës. Mbase i këtij brumi është edhe ministri ynë i nderuar, jo fort i shquar në politikë dhe sidomos në arsim. Por me sa duket e ka nisur për së mbari "karrierën" e tij, duke e rikthyer Shqipërinë në vitet mbrapa. Të jesh demokrat, i nderuar Beja, nuk do të thotë të jesh edhe demokrat, edhe komunist. Kushtetuta e Shqipërisë flet qartë. Në tri pikat e nenit 24 pohohet: 1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar; 2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t‘i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve; 3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Të deklarosh se ç‘besimi i përket, në një institucion shkollor, simbolizon këtë besim, shndërrohet në propagandë, shkel laicizmin… kjo esencë e shndërron shaminë në shkelëse të botëkuptimit të ministrit dhe opinioneve të disa "laicistëve", por jo shkelëse të nenit 24 të Kushtetutës! Si mundet që një normë, e cila nëse nuk aplikohet, konsiderohet si moskryerje e plotë nga besimtarja e rregullave ku ajo beson, të shpallet simbol dhe madje propagandë? Ky është propozim për një fe të re. Të krishterët kanë simbol kryqin, por pagëzimi është pjesë e obligimeve fetare, element dallues dhe jo simbol. Ambienti rrethues, që i nënshtrohet Kushtetutës është gjithashtu publik e kombëtar, drejtohet nga i njëjti shtet laik.

Në mjaft institucione publike ka portrete fetare. Shumë nga ato, madje edhe institucione arsimore, mbajnë emërtime tërësisht fetare. Është absurde që taksapaguesi të pengohet të frekuentojë një institucion që mban emra klerikësh, vetëm sepse ky praktikon besimin. Si do të përcaktohet që mjekra e "shkelësit" është fetare? Gjatë ‘enverizmit‘, kush mbante flokë të gjata apo mjekër i priteshin në publik. Në këtë mënyrë është vënë në jetë së bashku me fletërrufenë (pa harruar dajakun) në mes të qytetit për personin dhe familjen, diskretitimin publik në punë dhe lagje, kështu na frikësonte ne nxënësve edhe mësuesja. Nuk është çudi, që ndonjë ditë të dëgjojmë ndonjë vendim të tipit fshataresk, ku në shkollë do të ketë orë për të mësuar laicizmin, i shpikur në Shqipëri. Na duhen gjëra të tilla, meqë nuk shquhemi shumë për vendime të mençura.

"Demokratët" tanë e panë si shqetësim këtë mënyrë të vepruari nga vajzat besimtare. Ja, që na paska ardhur një kohë, që të besosh e të paraqesësh seriozitet te të tjerët, qenka e gabuar. Shamia e atyre vajzave në shkollë nuk përçon tjetër, veçse një mënyrë të vepruari brenda standardeve morale e njerëzore, të garantuara me Kushtetutë, e për të cilat zyrtarët nuk janë kënaqur. Të më ndjeni, por kjo është e dhimbshme. Sepse shkolla ku ti studion të përjashton për idetë e tua. Kjo s‘është demokraci! Të tregojnë Medresenë, a thua se të gjithë do të studiojnë për fe apo çdo fshat apo qytet ka Medresenë e vet. A ka menduar ky ministër se ku do të studiojnë këta nxënës? A harron ai se prindërit e këtyre nxënësve janë taksapagues edhe të sistemit arsimor? Na fal o Zot, çfarë po na dëgjojnë veshët! Meqenëse kjo ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar, për të mos lënë vend për keqinterpretime nga individë, qofshin këta edhe ministra apo zv.ministra, do të ishte mirë që ky "problem" të ishte i përcaktuar në marrëveshjen midis shtetit dhe KMSH-së, ku shumë pika tashmë janë të sqaruara në atë marrëveshje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›