E Shtunë, 31 Tetor 2026

NE DANIMARKE ME PRESIDENTIN TOPI

Edhe pse izraelitët nuk e kanë në fjalorin e tyre fjalën "rast", dhe kur u duhet, e huazojnë nga arabishtja, unë i besoj fatit, ashtu si Filipi beson këshillat e mia. Ishim ulur për drekë te ‘Luca‘, restoranti më i mirë në Tiranë për cilësinë e peshkut dhe të verërave. Ndërsa kuzhinieri me origjinë italiane, me shkollë gjermane, me nuse nga Kombinati, merrte porosinë, duke përfituar nga prania e mikut tonë të vjetër Gjergj Luca, i them Filipit: "Po të kishim një sponsor, pas dy ditësh shkonim në Danimarkë. Një rrugë e dy punë. Shoqëronim Presidentin Topi që bën vizitë zyrtare. Bënim tifo edhe për kombëtaren tonë të futbollit!". Gjergji, që është aq trim, saqë i merr vendimet pa na pyetur, rrëmbeu telefonin dhe nisi bisedën me Gjok Uldedaj, kryetar i Dhomës së Tregtisë... Pa hyrë në hollësi, më 31 mars 2009 mbërritëm në Kopenhagen, së bashku me rreth 70 biznesmenë. Na duhet të shtojmë edhe një hollësi, sepse më vonë do na duhet të përmendim një fakt. Presidentin, zyrtarisht, e shoqëronin Avokati i Populli, nënkryetari i KLD-së, prefekti i Tiranës dhe deputeti i Peqinit, Dashamir Sula.

Në pritje të regjistrimit në hotel, hyra në dyqanin e suvenirëve. Në vitrinë ishin vendosur një seri me libra. Në shumë gjuhë. Me një autor. I famshëm në botë. I njohur edhe në Shqipëri: Hans Christian Andersen. Duke shfletuar librat, më pyet shitësja, një bukuroshe tipike daneze: bionde me sy blu, që ta bën mishin kokrra-kokrra, sidomos kur je në moshën e pensionit. Si puna ime.

Ajo: Të pëlqen Anderseni?

Unë: Shkrimtar danez, e kam lexuar që fëmijë...

Ajo: Mund t‘u bëj një korrigjim. Andersen ka lindur në Danimarkë. Por shumë herë ka shkruar: Jam edhe suedez. Binacional.

Unë: Pse buzëqeshe kur përmende binacional?

Ajo: Sepse shkrimtari ishte edhe biseks. Për fatin e tij të keq, jetoi në një shekull (1805-1875), kur homoseksualiteti ishte herezi. Sot është ndryshe. Danimarka është i pari shtet në botë që me ligj, nga viti 1989, lejon martesat mes homoseksualëve. Po në Shqipëri?

I thashë që ende shoqëria nuk ishte pjekur që shteti të lejonte martesa të tilla. Por homoseksualët mund të "livadhisin" lirisht. Në vitin 1995, Këshilli i Evropës vuri dy kushte për Shqipërinë: Të garantonte me ligj lirinë e homoseksualëve dhe të hiqej dënimi me vdekje. Të gjithë deputetët ngritën kartonin jeshil. Edhe unë. Përjashtim bëri deputetja Rushen Golemi. Votën kundër e shoqëroi me frazën e njohur: "Gjysma e eurodeputetëve janë homoseksualë!".

E ndërsa biondina më dëgjonte duke përplasur qerpikët, dyshova në sinqeritetin e saj… Hapa internetin për më shumë informacion… "Anderseni binte shpesh në dashuri me vajza, por vetëfrenohej t‘u propozonte. E njohur është dashuria e tij në tentativë për sopranon Xheni Lind. Po kështu, dashuritë për Sofinë, Riborg etj. Të pakonsumuara mbetën edhe dashuritë për djemtë e rinj. Në një letër për Eduart Kollin, shkrimtari shkruan: "Ndjenjat e mia për ty janë si ndjenjat për një grua!". Për fatin e keq të shkrimtarit, Kollin nuk ishte gay!...

Në hollin e hotelit mbërritën disa këshilltarë të Kryeministrit Rasmusen. Do të shoqëronin Presidentin Topi në takimin zyrtar. Duke mos qenë pjesë e delegacionit, përfitova nga rasti të shkëmbej disa mendime me një nga këshilltarët. Në fillim e pyeta për Kryeministrin dhe partinë e tij.

Ai: Deri në vitin 2001, jetën politike të Danimarkës e dominoi Partia Social-Demokrate. Filozofia e tyre: Ndërhyrja e shtetit në jetën ekonomike. Dhe ekonomia daneze kaloi në krizë të thellë. Në këtë kohë, Rasmusen botoi librin: "Nga socializmi te shteti minimal". Libri u bë lajtmotivi i fushatës elektorale. Partia Liberale, qendra e djathtë, fitoi zgjedhjet e vitit 2001. Rifitoi zgjedhjet pas katër vjetësh. Prej 8 vitesh, Rasmusen është Kryeministër. Do largohet nga qeveria për të qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Unë: Çfarë solli në ekonomi kalimi nga kejsianizmi (shteti si violinë e parë në jetën ekonomike) te "laisse faire" i Adam Smithit (shteti, "vëzhgues" në ekonomi)?

Ai: Të flas më mirë me gjuhën e shifrave? Me 39 mijë dollarë GDP për frymë zëmë vendin e parë në botë. Danimarka më shumë eksporton, sesa importon; ka më shumë të ardhura sesa shpenzime në buxhet. Deri në vitin 1950, bujqësia zinte pjesën dërrmuese të GDP-së. Sot vetëm 2.6 për qind të GDP-së. Industria mbi 26 për qind. Zë vendin e 32-të në botë në eksportin e naftës dhe gazit. Rreth 18 për qind të nevojave për energji elektrike i siguron nga era. Me një sipërfaqe prej 43 mijë kilometra katrorë dhe popullsi 5.5 milionë banorë, në vendin tonë ka 2.2 milionë kompjuterë, 4.9 milionë aparate celularësh, rreth 3 milionë automobila, mbi 4.5 milionë turistë.

Në mesnatë "inspektuam" rrugët e kryeqytetit. I klasifikuar si qytet i së ardhmes, mes 50 qyteteve të botës, Kopenhaga radhitet pas Londrës, Parisit dhe Berlinit. E famshme dashuria e banorëve të kryeqytetit për biçikleta. 36 për qind e banorëve shkojnë në punë, shkollë a universitet me biçikletë. Parku i parë është "inaguruar" në vitin 1606. Bashkëkohor me universitetin e parë. Rruga na çoi drejt kazinosë. Na ndaluan të hyjmë. Duhej kollaro dhe kostum. Futemi në një lokal miks në sheshin kryesor të qytetit. Pronari? Shqiptar nga Maqedonia. "Jemi 500 shtëpi nga një fshat afçr Tetovës. Kemi radion tonë. Nesër të gjithë në stadium…

Rrugëve të qytetit nuk mund të gjesh femra me pagesë. Këtu "mbretëron" liria seksuale. Vajzat ecin rrugës. "Gjuajnë" djem. I ftojnë në pub. Po u pëlqeu, bëjnë seks. Ndryshe, ndahen si miq. Më thotë Filipi: "Vazhdojmë shëtitjen? Mbase të ‘gjuan‘ ndonjë biondinë"… Buzëqesha. Si Mona Liza… Në partinë ku unë militoj, seksi jashtë familjes është herezi, sidomos sot që hartohen listat për deputetë! Pa folur që unë, më 3 maj do të vë kurorë në kishë!

Një ditë më vonë. Duke kaluar afër ndërtesës së Parlamentit më tërhoqën vëmendjen katër skulptura të vendosura në fasadën kryesore. Simbolizonin dhëmbjet e veshit, dhëmbëve, syrit dhe barkut. Cila ka qenë ideja e artistit? Qytetarët e kanë harruar "gjenezën". Sot pikturat simbolizojnë "dhimbjet" e qytetarëve kur paguajnë taksa. Dhe Danimarka, me tradita të majta, shquhet për taksa të larta dhe çmime të kripura. Kopenhageni është qyteti më i shtrenjtë i Evropës…

Ja edhe bashkia. Madhështore. Në qendër të kryeqytetit… Pyeta: Ku mund të marr leje për ta vizituar?… Ngritje supesh. Nuk ishte nevoja për leje. Dyert ishin të hapura. Gjithë ditën. Për çdo njeri. Të hapura edhe zyrat. Edhe sallat… Kujtova Bashkinë e Tiranës. Pa mik, nuk ke shans të hysh brenda… Kujtova një vizitë në Janinë. Shkuam me Filipin në rajonin e policisë. Në mes të qytetit. Pa hekura e gardh. Me dyer të hapura. Edhe zyra e shefit ishte gjysmë e hapur. Po në Shqipëri? Policinë e ndajnë nga qytetarët muret, hekurat dhe rojet. Jetojmë në demokraci me mentalitet diktature!

Në hollet e stadiumit u takuam me pjesëtarë të delegacionit. Nuk na folën për takimet, por për bëmat. Gjatë bisedës së Presidentit me kryetarin e Parlamentit, një nga operatorët shqiptarë, duke ecur mbrapsht, u rrokullis nëpër shkallë. Më shumë u dëmtua kamera sesa i zoti. Ende pa u shuar jehona e rrëzimit të operatorit të parë, në takimin me Kryeministrin Rasmusen, duke u zbythur, rrokulliset shkallëve operatori tjetër që shoqëronte Presidentin. Më shumë u shqetësua Kryeministri danez. Por siç thotë populli, që të yshtet syri i lig, kërkohen tri fatkeqësi. Dhe e treta i ndodhi vetë Rasmusenit. Kur ishte në Turqi, disa ditë më parë, për të shoqëruar Obamën, u rrëzua. Duke mos pasur kamera në dorë, nxori shpatullën...!

Mes delegacionit mungonte deputeti i Peqinit. Të ketë humbur rrugën për në stadium? Meazallah! Është deputet i shëtitur. Mungesa lidhet me një telefonatë. I thanë që Berisha do të bënte vizitë në Peqin. Nuk do kishte lezet mitingu pa deputetin e zonës. Dhe Dashi la futbollin. La delegacionin. Mori arratinë. Aeroplan më aeroplan. Mbërriti në kohë në Peqin…

Në orën 20.00 zumë vend në shkallët e stadiumit. Filipi për herë të parë në jetë. Unë pas 20 viteve. Shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia, për sa i përket zhurmës, përbënin shumicën. Presidenti Topi ishte ulur në krah të Rasmusen. Nisi loja. Një skuadër ishte veshur me të kuqe. Tjetra me të bardhë. Pyeta për Berishën. Më thanë numri 11. Biond. I gjatë. Deri në minutën e 15-të loja ishte e barabartë. Unë dhe Filipi bëmë tifozllëk për të kuqtë. Nga minuta e 20-të, një lojtar i veshur në të bardha u afrua për të marrë topin pranë shkallëve. E njoha. Ishte Vangjeli. I them Filipit: Po lëmë nam! Kombëtarja jonë është veshur me të bardha!… Nuk u bind. Bile u tall me guston time. U desh goli, që edhe Filipi të bindej. Por e mori ferra uratën. Goli i bllokoi të bardhët në mes të fushës. Pastaj erdhën edhe dy golat e tjerë.

Sa më dhimbset Presidenti!,-tha Filipi,- e turpëruan lojtarët, në sy të Rasmusen… Po të ishte në tribunë Berisha, të siguroj që fitorja do të ishte me ne, sipas parullës: Me ne fitojnë të gjithë!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›