Canaj, trajneri i 14-të që largohet nga SuperligaGjithsej 10 skuadra nga 12 që ka Superliga kanë ndryshuar të paktën nga një trajner. Më shumë trajnerë në bankinë gjatë këtij sezoni ka provuar Lushnja, me katër të tillë. Besa, Flamurtari e Byli

“Jap dorëheqjen e parevokueshme dhe i uroj Vllaznisë të vazhdojë luftën drejt titullit kampion”. Deklarata është Agim Canajt, trajnerit të 14-të që largohet nga drejtimi i një ekipi të Kategorisë Superiore në 22 javë të zhvilluara dhe i pesti me rifillimin e kampionatit në vitin 2009.
Agim Canaj deri para humbjes fatale të Vllaznisë me Teutën (4-0), ishte pjesë e “trojkës” së paprekshme, së bashku edhe me Sulejman Starovën e Teutës e Gugash Maganit të Shkumbinit. Në fakt, kundër Canajt punoi edhe ndeshja e humbur me Dinamon në “Loro Boriçi” në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë.
Pasuesi i tij (flitet për malaziasin Dervish Haxhiosmanoviç, ka fituar kampionat e kupë me Vllazninë) do të jetë trajneri i 27-të i ulur në bankinat e 12 ekipeve të Kategorisë Superiore.
Agim Canaj në stolin e Vllaznisë arriti ta kualifikojë skuadrën shkodrane në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA, pasi eliminoi sllovenët e Koperit, duke sjellë në “Loro Boriçi” skuadrën e madhe italiane të Napolit.
Në 22 javë kampionat (dy faza të plota), Vllaznia nën drejtimin e Agim Canajt regjistroi 12 fitore, 5 barazime, 5 humbje, duke qenë me pikë të barabarta, nga 41, me Tiranën e vendit të parë, falë golaverazhit më të mirë: 34-17 (+17), Tirana; 31-20 (+11), Vllaznia.
Interesant është një fakt, edhe sezonin e kaluar në stolin e Dinamos, Agim Canaj, u shkarkua nga presidenti dinamovit Besnik Sulaj, edhe pse ishte në vendin e parë.
Gjithsej 10 skuadra nga 12 që ka Superliga kanë ndryshuar të paktën nga një trajner. Më shumë trajnerë në bankinë gjatë këtij sezoni ka provuar Lushnja, me katër të tillë. Besa, Flamurtari e Bylisi kanë në drejtim trajnerin e tretë sezonal. Partizani, Tirana, Dinamo, Apolonia, Elbasani e tani Vllaznia drejtohen nga tekniku i dytë.
TRAJNERËT E LARGUAR GJATË VITIT 2009
Mirel Josa (Elbasani)
Edmond Liçaj (Flamurtari)
Zlatko Daliç (Dinamo)
Ilir Daja (Besa)
Agim Canaj (Vllaznia)
Trajnerët e SuperioresSEZONI 2008 - 2009
DINAMO
Zlatko Daliç (Jep dorëheqjen në javën e 19-të). Në javën e 20-të vjen Shkëlqim Muça.
PARTIZANI
Hasan Lika (Jep dorëheqjen në javën e 8-të). Në javën e 9-të caktohet Shpëtim Duro.
BESA
Iljaz Haxhiaj (Jep dorëheqjen në javën e 3-të). Në javën e 4-t caktohet Ilir Daja. Në javën e 21-të jep dorëheqjen. Ilir Biturku drejton Besën nga java e 22-të.
ELBASANI
Mirel Josa, bordi drejtues e shkarkon pas javës së 19-të). Në javën e 20-të vjen Faruk Sejdini
SHKUMBINI
Gugash Magani
TIRANA
Blazh Slishkoviç (dha dorëheqjen në javën e 14-të). Në javën e 15-të vjen Agustin Kola.
VLLAZNIA
Agim Canaj (dha dorëheqjen në javën e 22-të). Në javën e 23-të vjen ????
FLAMURTARI
Slavko Kovaçiç (dha dorëheqjen në javën e 9-të). Në javën e 10-të vjen Edmond Liçaj. Në javën e 18-të largohet duke akuzuar për shitjen e ndeshjes me Apoloninë, në javën e 19-të vjen Eqerem Memushi.
TEUTA
Sulejman Starova
BYLIS
Faruk Sejdini (Jep dorëheqjen në javën e 3-të). Në javën e 4-t skuadrën e drejtoi Dashnor Dume. Në javën e 5-të vjen Hysen Dedja.
APOLONIA
Gerti Haxhiu (Jep dorëheqjen në javën e 9-të). Në javën e 10-të vjen serbi Esad Karishik.
LUSHNJA
Artan Bano (Jep dorëheqjen në javën e 1-rë). Në javën e dytë caktohet Saimir Malko (Jep dorëheqjen në javën e 8-të). Në javën e 9-të caktohet Vasil Bici (Largohet në javën e 17-të, në janar 2009 shkon drejtor i sporteve në MTKRS). Vjen Ilir Gjyla në javën e 18-të.
Nuk i kanë ndryshuar trajnerët
1. Shkumbini
2. Teuta
I kanë ndryshuar trajnerët
1. Partizani 2 herë
2. Besa 3 herë
3. Tirana 2 herë
4. Apolonia 2 herë
5. Dinamo 2 herë
6. Elbasani 2 herë
7. Flamurtari 3 herë
8. Bylis 3 herë
9. Lushnja 4 herë
10.Vllaznia 2 herë
NË 12 SKUADRAT KANË DREJTUAR 27 TRAJNERË
E Hene, 02 Mars 2009