E Diel, 1 Nëntor 2026

Cara paralajmëron kontrolle të forta pas zjarrit në Tiranë: Bashkitë të rrisin me 25% efektivët zjarrfikës para sezonit veror

Teksa sezoni veror është në prag, bashkive në vend u kërkohet rritje e numrit të efektivëve të Shërbimit Zjarrfikës me 25% më shumë.

“Kam kërkuar rritjen e kapaciteteve logjistike, pajisjeve, shtimin e efektivit me 25% ku të jenë të miratuara me grafik shërbimi”, tha Arben Cara, Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës

Jo vetëm kaq, por nisur dhe nga rasti i fundit i zjarrit në Tiranë, ky shërbim kërkon kontrolle intensive në subjektet që operojnë në katet e para të godinave të banimit.

“Subjektet e kanë detyrim ligjor në çdo rast që të marrin masat parandaluese, kryesisht dhe kontrolle të rrepta përsa i përket zbatimit të projektit mbrojtës kundra zjarrit”, shtoi Cara.

Lidhur me ndërhyrjen në godinat shumëkatëshe, nëse paraqitet nevoja, Shërbimi Zjarrfikës i kujton subjekteve përkatëse detyrimet ligjore që duhen zbatuar.

“Brigadat e zjarrëfikëseve në çdo rast të bëjnë lidhjen me sistemin hidrik në mënyrë që në katin e 12 e 15 e 30 të mos kemi nevojë të shtrijmë linja dhe të humbasim kohë, por ta lidhim në katin ku duhet të lidhet. Në shumicën e rasteve objektet kanë sistemin e linjave, por mirëmbajtja ka bërë që këto masa të dalin jashtë funksionit”, tha Cara.

Për përballjen me zjarret, efektivët e disa bashkive po testohen edhe për rritjen në gradë, që përkthehet në më shumë mbështetje ekonomike për ta.

“Është 8000 lekë të reja rritje për çdo gradë që këta marrin, por është edhe përvetësimi i aftësive të gjithsecilit”, përfundoi Cara.

Shërbimi Zjarrfikës në Shqipëri disponon 150 automjete. Në 61 bashkitë janë instaluar 70 stacione me mbi 1300 punonjës.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›