E Shtunë, 31 Tetor 2026

Carlos Saura me dramat intime të Spanjës

Cikli i Carlos Saura-s në "Të premtet e filmit spanjoll" sjell sonte tek Marubi dy prodhime të viteve shtatëdhjetë në epokën e fundit të diktaturës frankiste. Një leksion për gjuhën alegorike që provokojnë regjimet edhe në kinema


Sonte është nata e Carlos Saura-s. Në javën e tretë të së "Premtes së filmit spanjoll" organizuar nga Ambasada e Spanjës, në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, projektohen katër vepra të regjisorit spanjoll, dy të hershme të karrierës së tij në vitet shtatëdhjetë dhe dy realizime të viteve dymijë.
Janë "Cría Cuervos" (Rritja e korbave, 1975) , "Elisa, vida mia" (Eliza, jeta ime, 1977), "El Séptimo Día" (Dita e shtatë) 2004 dhe "Fados" (2007).
Me elegancën e të parit, Saura ka fiksuar një pikë kthesë në Spanjë: i xhiruar në kohën kur gjeneral Franko ishte në shtratin e vdekjes, ai është një film ku rrinë bashkë personalja dhe politika, një tablo e trashëgimisë së fashizmit në Spanjë dhe efektet në një familje të shtresës së mesme (titulli vjen nga proverbi spanjoll: "Rriti korbat të të nxjerrin sytë"). Ana, (e interpretuar nga Ana Torrent) një tetëvjeçare e shqetësuar që jeton në Madrid së bashku me dy motrat e saj mban zi për vdekjen e nënës të cilën ajo e ndjell si fantazmë (interpretuar nga aktorja britanike Geraldine Chaplin bija e Charlie Chaplin-it me të cilën Saura bashkëpunoi disa herë në kinema, ndërsa në jetë pati një marrëdhënie 12-vjeçare). Duke mbajtur parasysh kohën kur është realizuar, kritika e lexon "Rritjen e korbave" si një vepër e cila duke u vendosur ndërmjet realitetit dhe fantazisë, arrin të përcjellë jo vetëm ndjenjat komplekse të fëminisë po edhe përpjekjet dhe luftën e një kombi që është duke dalë nga errësira.


Përsëri tek "Elisa, vida mia" kemi të bëjmë me një dramë intime. Nëpërmjet personales dhe simbolikës së jetës së një individi, Saura krijon një dramaturgji të tillë që të lexohet si një depërtim psikologjik në ndërgjegjen e Spanjës së vitit 1977. Është prapë Geraldine Chaplin protagoniste, në rolin e Elizës e cila dëshiron të festojë në mungesë datëlindjen e babait të saj.

Për kritikën kjo ishte një vepër që po i jepte mesazhe të qarta brezit të ri për vdekjen e Frankos, dhe me këtë qëllim "Saura heq dorë nga çdo komoditet i kollajtë për ta zbukuruar rrëfimin me më shumë ëndrra turbulluese, fantazi dhe digresione se në alegoritë e tij më të hershme."
Regjisori do të shprehej pak më vonë se e ardhmja e Spanjës, ajo që po vinte pas disa dekadave diktaturë, varej shumë nga përpjekjet që duheshin bërë për një kuptim më të qartë të identitetit.

Carlos Saura (1932) është regjisor me krijimtari të gjerë dhe të larmishme. Që prej vitit 1957-1958, kur emri i tij u shfaq për herë të parë me filmin e shkurtër "Cuenca", e deri më sot, ka realizuar afro 40 vepra në gjini të ndryshme, fiction, dokumentarë dhe ka lëvruar deri edhe muzikalin.


Individualiteti i tij bie në sy në arenën ndërkombëtare më 1965, në Festivalin e Filmit në Berlin ku u vlerësua me Ariun e Argjendtë për filmin "La caza".
Për filmat "Kushërira Angjelikë" (1973) dhe "Rritja e korbave" ai u vlerësua me çmimin special të jurisë në Festivalin e Kanës më 1975.
Ndërsa katër vjet më vonë, filmi i tij "Nëna feston 100- vjetorin" u nominua për çmimin Oskar për filmin më të mirë të huaj.


Në vitet tetëdhjetë ai bën një ndalesë në karrierën si regjisor i filmit artistik dhe merret me ciklin e filmave për kërcimin latin, cikël i njohur si "Trilogjia e Flamenkos". Në vitet dymijë ai iu kthye sërish këtij pasioni dhe realizoi filmat e fundit "Flamenco", "Tango" dhe "Fados". Ky i fundit do të transmetohet sonte tek "Marubi".
Më 1990 Saura u vlerësua me Çmimin Goya për regjinë dhe skenarin më të mirë të filmit "Ay, Carmela!".


Personalisht, si veprën më të mirë që ai pat bërë në gjithë karrierën, vlerëson
"Buñuel y la mesa del rey Salomón" e vitit 2001, i realizuar në bazë të bisedave që ai kishte pasur me mjeshtrin surrealist spanjoll Luis Buñuel.
Nuk është hera e parë që publiku shqiptar ka kontakt me veprën e Saurës. Gjatë Javës së Filmit Spanjoll në vitet e fundit janë shfaqur në Tiranë filmat "Iberia" dhe "Goya në Bordo".


Projeksioni i filmave të Saurës sonte tek Marubi, nis në orën 19.00. Shfaqen në versionin original (spanjisht) me titra në anglisht.

Pranverë në Kosovë


Filmi Dokumentar me regji të Erjon Kadillit shfaqet më 26 shkurt 2009 në orën 19.30, në Muzeun e Rezistencës, Deportimit, Luftës, të Drejtave dhe Lirive në Torino.
Në përvjetorin e parë të pavarësisë së shtetit të dytë Shqiptar të Ballkanit, Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare "Vatra" i propozon publikut torinez një dëshmi të gjallë të ngjarjeve të përjetuara nga populli Kosovar ditën e pavarësisë.


Përmes pamjeve të filmuara nga regjisori i ri me origjinë Shqiptare, Erjon Kadilli, i cili do të jetë i pranishëm në sallë, shfaqja synon të sjellë pranë publikut atmosferën e ndezur dhe emocionet e mëdha të asaj dite historike, të parë me sytë e protagonistëve të saj. Në qendër të dokumentarit është pikërisht populli Kosovar, ëndrrat e tij dhe shpresa për të ardhmen, e cila i është mohuar shpesh gjatë rrjedhës së historisë.


Dokumentari është një udhëtim emocionues dhe prekës në jetën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë të Kosovës dhe në qytetin e tyre, Prishtinën, ku janë ende të dukshme gjurmët e luftës, por ku edhe shpresa për jetën është ndoshta më e fortë se tjetërkund.


Në shfaqjen publike të 26 Shkurtit, ku hyrja do të jetë e lirë, do të marrin pjesë prof. Guido Franzinetti i Universitetit të Torinos dhe prof. Vincenzo Cucci, kryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit.


Takimi do të drejtohet nga gazetari Benko Gjata, korrespondent i
ATSH-së në Itali. Ky event i propozuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare "Vatra" është realizuar me mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Milano, të Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit si edhe të Zyrës së Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino.
Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare "Vatra" është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi qytetarësh shqiptarë dhe italianë. Ajo zhvillon veprimtari të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e sa më të shpejtë të qytetarëve Shqiptarë në shoqërinë Italiane, duke vlerësuar njëkohësisht identitetin kulturor të bashkësisë.
Shoqata mbështet plotësisht kauzën Kosovare dhe ka organizuar veprimtari të ndryshme në favor të pavarësisë dhe njohjes së plotë të saj nga bashkësia ndërkombëtare.
Re.ku

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›