Tarifat, shqiptarët kursyen 30 milionë dollarë
Tregu i telefonisë në vendin tonë, mendohet të arrijë në 500 milionë euro. Sot, tenderi për licencën e katërt
Nga muaji shtator, kur tarifat u ulën me 20%, konsumatorët kanë kursyer rreth 2.9 miliardë lekë
Konsumatorët shqiptarë kanë kursyer rreth 30 milionë dollarë nga ulja e tarifave të celularëve. Raporti vjetor i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, tregon se zbatimi i metodologjisë së reduktimit të tarifave celulare vlerësohet të ketë qenë rreth 2.9 miliardë lekë për vitin 2008, për të njëjtin konsum si në vitin 2006. Gjithashtu, sipas raportit, thuhet se tre operatorët me fuqi të ndjeshme në treg, Albtelecom, AMC dhe Vodafone, kanë shpenzuar rreth 245 milionë lekë më pak nga reduktimi i tarifave të interkonjeksionit. Në muajin shtator hyri në fuqi metodologjia e re e tarifave, e cila impononte një ulje në masën 20% të thirrjeve nga operatorët e tregut. Megjithëse të ardhurat totale nuk janë bërë akoma publike për vitin 2008, të ardhurat e këtyre tre kompanive për vitin 2007 kanë qenë rreth 480 milionë euro. Gjithashtu, dy drejtuesit e këtij autoriteti deklaruan pak kohë më parë se, në muajin mars hyn në fuqi vendimi i ri për uljen e mëtejshme prej 20% të tarifave të telefonisë, duke e çuar në total uljen, në masën 40%.
Tregu
Deri më 1 korrik 2008, autoriteti raporton se numri i përdoruesve të celularëve arriti në 2.5 milionë, 400 mijë më shumë se gjatë vitit 2007. Ndërkohë që, në fund të vitit, ky numër vlerësohet të ketë arritur rreth 2.7 milionë, që do të thotë se, për çdo 100 vetë, 85 janë përdorues të celularit, ose 15% më shumë se gjatë vitit 2007. "Niveli i përdoruesve celularë për 100 banorë është në nivelet mesatare me vendet e rajonit, ndërsa në nivel më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së, në të cilën numri i përdoruesve për 100 banorë është 116", - shkruhet në raportin vjetor të AKEP-së, dorëzuar në Kuvend. Përdorues konsiderohet çdo kartë Sim dhe një person që zotëron disa të tilla, konsiderohet si disa përdorues. Gjatë vitit të kaluar hyri në treg edhe operatori i tretë celular, Eagle Mobile, i cili sipas AKEP-it vlerësohet të ketë kaluar 260 mijë abonentë, ose rreth 10% të tregut. Ndërkohë që, tenderi i parashikuar për operatorin e katërt celular pritet të zhvillohet sot, pas një shtyrjeje të bërë nga Ministria e Telekomunikacioneve në fund të janarit. Autoriteti deklaron se po punohet për zbatimin e propabilitetit të numrit, i cili mundëson kalimin nga një operator tek një operator tjetër, pa pasur nevojë të ndërrosh numrin e telefonit. Vetë kreu i AKEP-it, pak kohë më parë tha se kjo do të mundësohej në muajin qershor. Autoriteti u ka kërkuar operatorëve celularë të amendojnë kontratat e tyre të shitjes me shumicë, për të hequr dispozitat antikonkurruese, vetëm që operatorët e tjerë dhe, veçanërisht, operatorët e rinj në treg, të mund të rrugëzojnë trafikun e tyre lirshëm dhe me çmime konkurruese. Autoriteti raporton se me hyrjen në treg të operatorit të tretë celular, është rritur rivaliteti midis operatorëve celularë dhe gjatë vitit të kaluar konkurrenca u përqendrua në programet tarifore, që synojnë përdoruesit e grupeve të mbyllura.
2.9 miliardë lekë vlerësohet të ketë qenë efekti i zbatimit të metodologjisë për uljen e tarifave
20% ishte ulja e tarifa që aplikuan në shtator 2008, operatorët celularë, në bazë të metodologjisë
20% është ulja, që parashikohet të zbatohet në muajin mars, e lajmëruar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare
2.7 milionë vlerësohet të ketë arritur, në fund të 2008-ës, numri i përdoruesve të celularëve