E Shtunë, 31 Tetor 2026

Carola Mueller-Holtkemper ambasadorja e re e Gjermanisë në Shqipëri

Tiranë, 29 gusht -     Carola Mueller-Holtkemper do të jetë ambasadorja e re e Gjermanisë në vendin tonë. Ajo do të zëvendësojë Bernt Borchardt, të cilit i përfundoi mandati tre vjeçar pak ditë më parë. Ambasadorja Holtkemper dorëzoi gjatë ditës së djeshme letrat kredenciale të presidenti Bamir Topi, duke nisur zyrtarisht punën e re në Shqipëri. "Gjatë takimit me presidentin  Topi, ambasadorja Mueller-Holtkemper vlerësoi se ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë ekzistojnë marrëdhënie të ngushta partneriteti. Që prej fillimit të procesit të demokratizimit, Gjermania ka ndërmarrë shumë përpjekje duke e inkurajuar Shqipërinë përmes mbështetjes ekonomike e politike në procesin e reformave, si dhe duke mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe afrimin e vendit me BE-në",- thuhet në një njoftim të zëdhënësit të ambasadës gjermane në Tiranë, Harald Schindler. "Gjermania e nxit zhvillimin ekonomik të Shqipërisë duke vënë në dispozicion mjete të konsiderueshme financiare, pikësëpari në sektorë kyç si furnizimi me energji dhe ujë të pijshëm. Në asnjë vend tjetër të botës mbështetja gjermane për frymë nuk është aq e lartë sa në Shqipëri. Ky bashkëpunim plotësohet më tej nga një dialog i ngushtë politik: Ministrat e jashtëm respektivë të dy vendeve zhvillojnë rregullisht takime. Ndërkaq, anëtarë të Bundestag-ut gjerman vizitojnë rregullisht Shqipërinë",  vijon më tej njoftimi për shtyp. Carola Mueller- Holtkemper ka qenë më parë zv.ambasadore në Rabat, ndërkohë që para se të mbërrinte në Shqipëri ajo ka punuar si drejtoreshë referati në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›