E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për subvencione vendos ministri

Prishtinë, 29 gusht – Fiks 2 milionë e 849 mijë e 813 euro, sa është shuma e subvencioneve dhe transfereve, vetëm në Departamentin e Kulturës dhe të Trashëgimisë Kulturore dhe afro një milion e 600 mijë euro në departamentet e sportit dhe rinisë janë në dorën e dy personave në Ministrinë  e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shkruan sot Koha Ditore. Ministri i MKRS-së ose sekretari i përhershëm, së bashku me drejtorin e departamentit përkatës janë personat që vendosin se cilin projekt do ta përkrahin financiarisht. Ndërsa nënshkrimi i zyrtarit profesional është hequr nga “përdorimi”. Tashmë atyre u është hequr edhe mbiemri “profesionist”, duke mbetur vetëm zyrtarë.
Sipas një modeli të “Kërkesës zyrtare për shpenzime” të muajit korrik që e ka siguruar gazeta, shihet se për aprovimin e saj nevojitet vetëm nënshkrimi i ministrit ose sekretarit të përhershëm dhe aprovimit nga drejtori i departamentit.
Salih Morina, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka thënë se heqja e nënshkrimit të zyrtarit profesionist është bërë me rregulloren e re të MKRS-së.
“Zyrtarët profesionistë janë hequr, me rregulloren e re dhe kjo është fare e natyrshme”, ka thënë Morina. Sipas tij, të gjitha projektet tash i vlerëson departamenti përkatës. “Projektet dorëzohen në departamentin i cili e vlerëson atë. Pastaj vjen në zyrën e sekretarit dhe më pas shkon te ministri i cili jep nënshkrimin e fundit”, ka thënë Morina. Ai gjithashtu ka sqaruar edhe procesin e vlerësimi në departamentet e caktuara. “Një projekt shkon në departament dhe më pas drejtori i atij departamenti me stafin e tij e marrin dhe e vlerësojnë atë projekt nëse duhet apo jo të aprovohet. Ata thjesht aprovojnë, asgjë më tepër. Më pas ai projekt vjen në zyrën time si sekretar i përhershëm të cilën e verifikoj dhe e dërgoj te ministri i cili në bazë të rekomandimeve merr vendim nëse ato mjete të ndahen apo jo”, ka thënë Morina.
Për sekretarin e përhershëm të Qeverisë së Kosovës, Fitim Krasniqi, nuk ka ndonjë rregull në bazë të cilës do të duhej të rregullohej kjo çështje.
“Një organizatë buxhetore, në këtë rast Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka mundur të bëjë një ndryshim të tillë, edhe pse për ndarjen e  subvencioneve zakonisht nënshkrimin e fundit e hedh ministri ose sekretari i përhershëm”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij i vetmi rregull që një ministri duhet ta zbatojë është se asnjë prej tyre nuk guxon të dalë jashtë mandatit të saj. “Kjo i bie se nëse një ministri jep para për një projekt që nuk është e fushës së saj, atëherë ajo del jashtë mandatit të saj. Kjo nuk është e lejuar”, ka thënë Krasniqi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›