E Shtunë, 31 Tetor 2026

Castaneda dhe shpirti i luftëtarit

Carlos Castaneda ishte një shkrimtar që ndikoi në gjeneratën time – megjithëse në rrethet akademike ai asnjëherë nuk u konsiderua si dikush që duhet të merret parasysh. Për nder të tij, po e prezantoj një përmbledhje të shkrimeve të tij më të rëndësishme.

***

Gjëja më e vështirë në këtë botë është përvetësimi i shpirtit dhe pozicionit të një luftëtari. Nuk ka nevojë të jesh i pikëlluar, të ankohesh, të ndihesh i trajtuar padrejtësisht dhe të besosh se dikush po bën diçka negative. Askush nuk po bën asgjë dhe sigurisht jo një luftëtari.

***

Nuk ka rëndësi se si jemi shfaqur. Çfarë e determinon mënyrën tonë të veprimit është mënyra me të cilën ne e administrojmë vullnetin tonë.

Vullneti është një ndjenjë, një talent, diçka që na jep entuziazëm. Vullneti është diçka që është i fituar – por është e domosdoshme të luftosh për të gjatë tërë jetës.

***

Përulja e një luftëtari nuk është përulje e njëjtë me atë të një njeriu servil. Luftëtari nuk e ul kokën e tij para askujt dhe as që e lejon ndokënd të përkulet para tij. Në anën tjetër, njeriu servil gjunjëzohet para çdokujt që ai beson se është më i pushtetshëm dhe kërkon që njerëzit nën udhëheqjen e tij të sillen në mënyrë të njëjtë para tij.

***

Gjëja e keqe rreth fjalëve është se ato na bëjnë të ndihemi sikur të ishim të ndriçuar dhe që kuptojmë gjithçka. Por, kur kthehemi dhe ballafaqohemi me botën, e shohim se realiteti është tërësisht i ndryshëm nga ai që e kemi diskutuar apo dëgjuar. Luftëtari kërkon të veprojë dhe jo të humbë kohë në biseda të padobishme.

***

Njeriu i thjeshtë mendon se nënshtrimi ndaj dyshimeve dhe brengave është një shenjë e ndjeshmërisë. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai mbetet i ftohtë ndaj kuptimit të vërtetë të jetës. Ky lloj personi ka dëshirë t’i thuhet se çfarë duhet të bëjë.

Vetëm një luftëtar mund të durojë shtegun e dijes. Luftëtari nuk ankohet apo të vajtojë për diçka dhe sfidën nuk e sheh as të mirë as të keqe. Sfidat janë thjeshtë sfida.

***

Bota është e pazbulueshme dhe misterioze, ashtu siç jemi ne të gjithë. Arti i luftëtarit përbehet nga bashkërendimi i tmerrit të të qenit njeri me mrekullinë e të qenit njeri.

Paulo Coelho

Përktheu: A. Beka

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›