E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cate ka arritur t’i ketë të gjitha

 Cate Blanchett ia ka dalë. Jo thjesht për faktin se është një nga yjet më të vlerësuar të globit, as që ka fituar çmime “Oskar” dhe është nominuar për shumë të tjerë, madje aq sa ka bërë për vete Giorgio Armanin, sipas të cilit ajo është “muza për të cilën ai krijon”. Jo. Cate Blanchett ka arritur t’i ketë të gjitha. Që do të thotë: të ketë një karrierë dhe një familje, të dyja me “5 yje”. Si ia bën aktorja australiane të kujdeset jo për një, po 3 fëmijë (djem), mes 5 dhe 12 vjeç? “Si ia dal? Zgjohem çdo mëngjes në orën 5 e 30, përgatis mëngjesin, çoj fëmijët në shkollë, pas vijoj ditën me tim shoq…

Jemi një familje normale dhe shtëpia jonë është një kaos i vërtetë. Është media që nga jashtë e bën të duket kush e di se çfarë…”, do t’i thoshte ajo gazetarëve të “La Repubblica-s”. Po normale-normale, ndoshta jo… sidomos kur bëhet fjalë për yll të ekranit të madh, në kulmin e karrierës së saj. “Të merrem me familjen nuk ka qenë kurrë një problem”, thotë aktorja, që u bë nënë në momentet më të rëndësishme të karrierës. Në vitin 2001 del filmi “The Lord of the Rings” e bashkë me të, vjen në jetë djali i parë, Dashiell; në vitin 2004 filmi “The Aviator” dhe në të njëjtën kohë del në dritë djali i dytë, Roman; në vitin 2008 është shtatzënë në sheshxhirimin e “Indiana Jones” të Spielberg dhe 5 muaj më vonë, një fjongo bojëqielli për Ignatius… E duket sikur çdo gjë është në rritje dhe në sintoni të plotë për të.

“Në fakt ndodh gjithçka shumë rastësisht. Nuk kemi planifikuar asnjë nga fëmijët tanë. Secili prej tyre ka qenë një “incident i lumtur”, thotë aktorja, së cilës i është dashur të shkëputet rreth 7 muaj nga sheshxhirimet për t’iu kushtuar fëmijëve, që gjithsej janë gati dy vjet, çka nuk është pak për dikë që duhet të jetë gjithnjë gati për t’i bërë ballë konkurrencës së Hollywood-it. Dhe asaj nuk i ka shkuar mendja kurrë që të braktisë punën për t’u marrë ekskluzivisht me rritjen e fëmijëve, si shumë të tjera kanë zgjedhur, ose janë detyruar të zgjedhin. “Jemi në një moment krize, papunësia është rritur për të gjithë, si për burrat, edhe për gratë, pa dallim. E di që është gjithnjë e më shumë e vështirë të kesh kohë për t’i vënë në harmoni fëmijët dhe karrierën”. Ajo nuk mban të fshehtë ndonjë formulë për të ruajtur ekuilibrat.

“Që të arrish të kesh gjithçka, nuk besoj se ekzistojnë formula apo receta ekzakte: varet se si je gatuar, nga mbështetja që të jep familja. Është shumë subjektive”. Pa dyshim që i shoqi, komediografi dhe dramaturgu australian, Andrew Upton, i vjen shumë në ndihmë: “Është shumë i zoti, madje nuk kemi nevojë as për një dado fikse. Babysitter vjen vetëm kur dalim mbrëmjeve”, tregon ajo, teksa shton se nuk harrojnë asnjëherë t’u tregojnë përrallën përpara gjumit, transmeton Panorama. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›