Caucasian Challenge 2009 kalon përmes Shqipërisë

32 aventurierë entuziastë do të formojnë 15 ekipe. Nisja, për atë që cilësohet si aventura e jetës, do të bëhet nga Budapesti.
Nga 28 gushti deri më 13 shtator 2009, për 17 ditë dhe 7800 kilometra, ekipet do të udhëtojnë përmes Hungarisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Gjeorgjisë. Kulmi i kësaj gare do të jetë finishi saj në Jeravan të Armenisë.
Ky udhëtim i pabesueshëm do t’ju japë mundësinë pjesëmarrësve të eksplorojnë bukuri të rralla të kësaj pjese të botës. Shumë gjëra, jo gjithmonë mund të shkojnë sipas planifikimeve: Makinat mund të prishen, hartat mund të “gënjejnë” dhe rojet kufitare mund t’ju mohojnë hyrjen. Ekipet do të kenë privilegjin e rrallë të udhëtojnë nëpër zona shpesh të pashkelura nga turistët, të tilla si Kurdistani turk ose Karabakun e rrënuar nga lufta në rajon.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të udhëtojnë me makina të ndryshme nga “Toyotat Land Cruisers” më moderne e deri te makinat e vjetra tip “Soviet Moskvitche”. Të pakta do të jenë makinat, të cilat do të mund t’i përballojnë me sukses të gjitha pengesat, por gjithsesi asgjë nuk është e pamundur. Në frymën e garës, ekipet nuk duhet të lejojnë asgjë, që t’jua ngadalësojë atyre udhëtimin. Pjesëmarrësit në këtë eveniment janë pionierë në kuptimin e plotë të fjalës.
“Caucasian Challenge” ofron një asistencë minimale për ekipet pjesëmarrëse. Nuk ofron shërbime të shumta mekanike, sikurse nuk ka një grup mjekësh për ndihmën e shpejtë në rast aksidentesh. Garuesit duhet të mbështeten në aftësitë e tyre dhe te fati për të gjetur rrugën deri në vijën e finishit.
Itinerari që duhet ndjekur është i vështirë, ku në çdo ditë të kësaj gare duhet arritur një objektiv i caktuar. Ata duhet të garojnë sipas hartës së përcaktuar dhe të zgjidhin vështirësitë e rrugës në mënyrë që të grumbullojnë pikë.