Çeku: Është koha që Kosova të ketë forcë reale të sigurisë

Ministri i FSK-së Agim Çeku deklaroi sot se “i vetmi projekt i papërfunduar në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës, është Forca Ushtarake e Kosovës”. Ministri Çeku raportoi sot para Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së për gjendjen e përgjithshme në FSK.Çeku tha se është koha që Kosova tani ta ketë një forcë reale të sigurisë.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Agim Çeku tha sot se Kosovës, në infrastrukturën e saj shtetërore, i mungon forca ushtarake. Këto komente Çeku i bëri gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, duke u përqendruar më shumë në zhvillimet dhe objektivat për të ardhmen, si dhe në procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë .
“Ta ketë një forcë reale që tani i mungon Kosovës me vendet tjera në rajon.Kosova i ka të gjitha institucionet tjera duke fillua nga parlamenti, policia qeveria.I vetmi institucion që është i pa përfunduar apo e vetmja punë e pa përfunduar në ndërtimin e infrastrukturës shtetërore është FSK-ja”, vlerësoi ministri Çeku .
Ministri Çeku paralajmëroi vizitën e tij në selinë e aleancës veriatlantike në Bruksel gjatë muajit prill, kur priten ndryshime pozitive të raportit të NATO-s karshi FSK-së, të cilat, sipas tij, NATO-ja asnjëherë nuk i ka vënë në pikëpyetje kapacitetet e FSK-së.
“Ne si FSK kemi propozua dhe kjo është arsyeja pse po shkojmë në NATO që të kemi tri nivele bashkëpunimi me NATO”, tha ministri Çeku.
Sa i përket raporteve me NATO-n, ministri Çeku tha se këto marrëdhënie duhet të jenë afatgjata mes FSK-së dhe NATO-s që të mos lidhen me mandatin e KFOR-it në vend. Ndryshe, në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës pritet që të miratohet ligji për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misione ndërkombëtare paqeruajtëse./Indeksonline/