Mujës i dalin në mbrojtje vullnetarisht një numër i avokatëve

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja nuk do të ketë më telashe për avokat. Ai në mbrojtje do të ketë një numër të avokatëve. Nënkryetarja e Odës së Avokatëve të Kosovës, Bahrije Besimi tha se një numër i avokatëve kanë shprehur dëshirën që vullnetarisht t’i dalin në mbrojtje kryetarit Ramadan Muja. “Deri më tash tre avokat janë lajmëruar vullnetarisht që t’i dalin në mbrojtje pa asnjë kompenzim kryetarit Muja”, ka thënë Besimi.
Nënkryetarja e Odës së Avokatëve të Kosovës Bahrije Besimi në seancën e parë gjyqësore kundër kryetarit Muja dhe pesë zyrtarëve të tjerë, ka paralajmëruar prokuroren Natasha Vikeri, dhe gjykatësin, Vladimir Nikula, se një numër i avokatëve kanë shprehur dëshirë që ta mbrojnë kryetarin Muja. “Unë jam nënkryetare e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe kryetare e avokatëve të regjionit të Prizrenit. Dua të ju them i nderuari gjykatës se është një numër i avokatëve të cilët kanë shprehur dëshirën që ta mbrojnë kryetarin Muja”, tregoi Besimi.
Gjykatësi Nikula, ndërkaq nuk e ka lejuar avokaten Besimi që të vazhdojë të flasë, pasi që nuk ishte e angazhuar nga askush që të flasë në seancë gjyqësore.” Mirë atëherë flas në seancat e tjera”,paralajmëroi avokatja Besimi.
Kryetari i Prizrenit dhe pesë zyrtarët e tjerë të hënën u deklaruan të pafajshëm në seancën gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, bashkë me pesë zyrtarë të tjerë akuzohen se me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, përkundër një vendimi të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës pa përfillur procedurat ligjore.
Të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, janë Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci dhe Minir Krasniqi.
Në pikën e katërt të aktakuzës, thuhet se në periudhën midis datës 20 gusht 2011 dhe 26 janar 2012 në Prizren, Ramadan Muja, Minir Krasniqi, Abdullah Tejeci në së paku shtatë raste të padive civile, kanë marrë pjesë në nxjerrjen e një konkluzioni, me anë të së cilit ekspertët kadastral të punësuar në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër, janë ndaluar që të marrin pjesë në seancat gjyqësore.
Nënkryetarja e Odës së Avokatëve të Kosovës Bahrije Besimi, ndërkaq tha se aktakuza e ngritur kundër Ramadan Mujës është e pa bazë. “Avokatët që janë lajmëruar vullnetarisht për ta mbrojtur Mujën e kanë lexuar aktakuzën dhe e kanë parë që nuk ka bazë ligjore. Ky proces është një proces politik dhe kjo do të vërtetohet shumë shpejt. Ne e njohim Ramadan Mujën se kush ka qenë dhe kush është. Avokatët nuk dyshojnë aspakë në pastërtinë e tij.Pak njerëz ka të ndershëm si Muja qyteti i Prizrenit ”, tha për prizrenipress, avokatja Besimi.