E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i lartë i naftës, falimentojnë peshkatarët

Pronarët e peshkatoreve thonë se prodhim ka, që me gjuhën e tyre do të thotë peshk, por këtë sektor vazhdon ta mbajë të mbërthyer i njëjti problem. Ata nuk janë në gjendje që të përballojnë shpenzimet e naftës. Gjendja e tyre po bëhet më pa shpresë tani që sektori i naftës po privatizohet plotësisht.

PESHKIMI

Peshkatarët e Durrësit e ndjejnë veten të lënë pas dore krejtësisht. Askush nuk kujtohet më për ta edhe pse në strukturat e administratës shtetërore ka drejtori të tëra që duhet ta mbulojnë këtë sektor të ekonomisë. Pjesa më e madhe e peshkarexhave dalin rrallë për gjueti, pasi nuk kanë para për të blerë naftën. Vetëm një pakicë anijesh metalike kanë mundur që të përballojnë rritjen e çmimit të naftës duke e siguruar atë jashtë vendit. Ky sezon gjuetie që ka nisur, sqarojnë peshkatarët, është ndryshe nga ai i dy viteve të fundit. Kjo për shkak se gjatë asaj periudhe ishte konstatuar edhe shkencërisht një largim i peshkut nga ujërat tona. Këtë e pati studiuar një anije e specializuar franceze për llogari të një subjekti vendas.

Këtë sezon situata paraqitet më e mirë, pasi prodhimi i detit nuk mungon. Por, 70% e anijeve të peshkimit nuk janë në gjendje që të sigurojnë para për të blerë naftën. Peshkatarët janë shprehur pesimistë se situata e tyre do të përmirësohet ndonjëherë, sidomos kur i gjithë sektori i naftës është drejt privatizimit total. Peshkatarët ka vite që nuk i ka kontaktuar askush për të diskutuar për zgjidhjen e problemeve të tyre. Është një sektor që nuk përfiton asnjë lloj subvencioni nga shteti, kjo ndryshe nga vendet e tjera të rajonit. Në peshkim po zbatohet ligji i xhunglës, ku mbijeton më i forti./GSH/Start/

                                                                                             2012-09-30 09:20
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›