E Diel, 1 Nëntor 2026

Çudia/Kërkohet hetim i përshpejtuar për Gërdecin, Prokuroria dorëzon në parlament edhe 4 volume të reja me shkresa

Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar dje në Kuvend 4 volume me dokumentacione shtesë për imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për të marrë autorizimin për të ndjekur penalisht deputetin republikan lidhur me ngjarjen e 15 marsit në Gërdec të bashkisë Vorë. Organi i akuzës bëri të ditur se “në përgjigje të kërkesës të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pranë Kuvendit të Shqipërisë për dokumente shtesë, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm i dërgoi këtij këshilli katër volume me dokumente. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, në këto volume përfshihen dokumentet që Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ia kishte vënë në dispozicion më parë këtij këshilli, dhe të cilat u ridërguan sipas kërkesës së tij, duke shtuar edhe pjesën tjetër të dokumenteve që kërkoheshin, në të cilat përfshihen edhe disa dokumente të sekuestruara në vazhdim të hetimeve dhe pas paraqitjes së kërkesës së Prokurorisë në Kuvend. “Prokuroria po vazhdon hetimet dhe po ushtron ndjekje penale ndaj disa personave, civilë dhe ushtarakë, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 15 mars në Gërdec dhe siguron se, është e vendosur, që në pavarësi të plotë në vendimmarrjen e saj, të vërë përpara përgjegjësisë çdo person të përfshirë në këtë proçes, që ka kryer vepër penale”, konfirmon organi i akuzës. Vetë Kuvendi me anë të zëdhënëses Suela Ruseti, ka konfirmuar mbërritjen nga Prokuroria e Përgjithshme pas kërkesës së anëtarëve të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, të dokumentacionit shtesë në lidhje me lejimin për procedimin penal ndaj deputetit Fatmir Mediu. Menjëherë Kryetarja e Kuvendit thirri anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve  për t’u njohur me dokumentacionin e ardhur në mënyrë që të krijojnë bindjen e nevojshme dhe  të përfundojnë sa më shpejt procedurat, me votim në seancë plenare. “Ne letrën e saj Znj. Rama njofton Kryetaren Topalli se “pjesë të dokumentit shtesë të ardhur janë disa dokumenta të sekuestruara në vazhdim të hetimeve e pas paraqitjes së kërkesës në Kuvend. Në përgjigje të Kërkesës për dokumentat shtesë, me synimin për të mos u bërë pengesë për një vendimmarrje sa më të drejtë të Kuvendit, po ju dërgojmë dokumetat e vendosura në 4 volume”- u shpreh Ruseti në komunikimin e saj me mediat. Vetëm pak ditë më parë Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve në mbledhjet e mëparshme kritikoi punën e organit të akuzës në lidhje me dokumentet e pamjaftueshme që kishte dorëzuar në Kuvend. Për këtë cështje, kryetarja e Kuvendit dhe Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, Jozefina Topalli i bëri thirrje Kryeprokurores Rama që të dorëzojë dokumentacionin e plotë rreth veprimtarisë së Mediut në krye të institucionit të mbrojtjes. Anëtarët e Këshillit për Imunitetet kanë debatuar takimet e mëparshme mbi materialin që Kryeprokurorja Ina Rama ka dorëzuar shtesë për imunitetin e Mediut, duke e kritikuar si shumë voluminoz e jo serioz. Të këtij mendimi kanë qenë të gjitha kahët e politikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›