E Shtunë, 31 Tetor 2026

6 parqe industriale, ofertë për investitorët e huaj

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë Konferencës për prezantimin e projektit për parkun industrial të Durrësit, se ky park do të shndërrohet në zonat më të fuqishme industriale dhe energjetike të rajonit. “Ky park, së bashku me Porto-Romanon që është pak kilometra më në veri, do të shndërrohet në zonat më të fuqishme industriale dhe energjetike të rajonit”, tha Kryeministri. Duke përshëndetur Konferencën ndërkombëtare për zhvillimin e zonave industriale dhe promovimin e projektit për parkun industrial të Durrësit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 70 bizneseve, të huaj e vendas, Kryeministri Berisha tha se qeveria është e angazhuar për krijimin e një seri parqesh industriale, që do të shërbejnë si baza të fuqishme të zhvillimit rajonal e kombëtar të vendit. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në parkun industrial në Spitallë të Durrësit, Kryeministri vuri theksin në kushtet e favorshme që ky park ofron për biznesin, që e bëjnë atë një nga vendet më të përshtatshme për investime në rajon. “Cilido që vështron vendndodhjen e parkut industrial të Durrësit gjen një nga sitet më të përshtatshme për investime në mbarë rajonin tonë. Ai rrethohet me infrastrukturë moderne, në një anë me portin më të madh të vendit, në anën tjetër me aeroportin, ngjitur me të ndodhet nëncentrali elektrik, ndërkohë vetëm pak minuta distancë hekurudha do të shkojë deri në zonë, korridori Durrës-Prishtinë e më tutje, krahu i punës më i leverdishmi në Europë. Pra, ka një kompleks rrethanash që e bën këtë vend vërtet jashtëzakonisht të favorshëm për park industrial. Ndërkohë parku është i mbështetur nga një zonë e madhe industriale që shtrihet nga Tirana në Durrës. Në qoftë se vendndodhja do të vlerësohej me pikë, më lejoni të shpreh bindjen time se ky park nuk mund të vlerësohej me më pak se 100 pikë”. Krahas vendndodhjes së zonës industriale, Kryeministri vlerësoi si faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe të investimeve ekzistencën e një kuadri të favorshëm fiskal dhe kushteve të përshtatshme që ofron Shqipëria. “Dy vjet më parë, ne përcaktuam objektivin madhor, Shqipëri vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe këtë e realizuam. Vetëm 6 muaj më parë, teksa inauguronim së bashku me presidentin e Cottonela-s, fabrikën e tij të madhe në Shkodër, ai do ta konsideronte këtë një lloj parajsë fiskale. Unë e di që nuk është parajsë, por një klimë shumë e favorshme. Shqipëria po punon për të reduktuar në maksimum barrën burokratike ndaj jush dhe natyrisht brenda zonës industriale ajo do të jetë inekzistente. Në tërësi, ne po ecim drejt procedurave elektronike, më të shpjeta dhe më të mira. Kjo është realizuar për regjistrimin e bizneseve dhe së shpejti do të realizohet për licencat dhe lejet, ato që mbeten do të grupohen në One Stop Shop”, theksoi Kryeminstri Berisha. Sipas tij, Shqipëria, ka stabilitet makroekonomik të admirueshëm, rritje ekonomike mbi 6 për qind, inflacion plotësisht nën kontroll, muajin e kaluar ishte 4.2 për qind, me tendencë rënie, në një kohë kur era është inflacioniste, po ashtu me një monedhë që është ndër më të qëndrueshmet në rajon, me një kurs këmbimi më të favorshmin që ka pasur ndonjëherë në dy dekadat e fundit, me një sistem bankar qartësisht të zhvilluar, që po rrit me shpejtësi ritmin e kreditimit të ekonomisë. Kryeministri Berisha vuri në dukje se interesi i investitorëve të huaj për Shqipërinë është rritur, edhe për shkak se ajo ndodhet në zonën e një tregu të madh e dinamik, si dhe të potencialeve të mëdha e pasurive natyrore të saj. “Shqipëria ka nënshkruar një seri marrëveshjesh të tregtisë së lirë në kuadrin e CEFTA-s nga Kroacia në Moldovë, ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, ka Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Turqinë. Pavarësisht nga përmasat e saj modeste gjeografike, Shqipëria është e vendosur në zonën e një tregu të madh dinamik dhe paraqet interes të madh investimi. Ajo ofron potenciale shumë të mëdha. Në Shqipëri mund të gjejnë veten kompanitë më të mëdha ndërkombëtare të turizmit dhe ato energjetike. Në një studim të Komisionit Europian, Shqipëria citohet si një nga vendet më të rëndësishme për investime në hidroenergji. Shqipëria është e hapur për të gjitha format e tjera të energjisë. Ajo është shumë e pasur në minerale, me rezerva në krom, bakër, nikel, ferrokrom, baokside, ku me tre mineralet e parat, vendi renditet ndër vendet e rëndësishme në kontinent”. Kryeministri shprehu bindjen se të gjitha këto e bëjnë Shqipërinë një histori të vërtetë suksesi për çdo investitor. Parku industrial në Spitallë të Durrësi do të ketë një sipërfaqe 850 hektarë dhe infrastrukturë moderne e lehtësuese për bizneset. Një numër kompanish të mëdha kanë shprehur interes për ngritjen e këtij parku. Në Konferencën e zhvilluar sot, ku u promovua projekti për parkun industrial, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të 20 kompanive të huaja që vinin për herë të parë në Shqipëri.
Qeveria, e angazhuar për krijimin e një tregu pune të aftë e dinamik/Në konferencën e organizuar nga Banka Botërore, për “Krijimin e një tregu pune konkurrues në Shqipëri”, kreu i qeverisë Sali Berisha vuri në dukje se qeveria është e vendosur të bëjë ç’do përpjekje për krjimin e një tregu pune dinamik dhe të aftë për t’iu përgjigjur dinamizmit të admirueshëm të ekonomisë. “Tregu i punës është pa mëdyshje aspekti më themelor që ka të bëjë me punësimin, aftësimin e trajnimin, pra, me një kompleks të gjerë procesesh dhe problemesh, zgjidhja drejtë e të cilave është përcaktuese për akselerimin e procesit të zhvillimit”, tha Kryeministri Berisha. Ai bëri të ditur se “Shqipëria dhe rajoni, në tërësi dalin nga një periudhë 15-vjeçare hijesh e konfliktesh, që kanë qenë një faktor real shkurajues dhe i pafavorshëm për vlerësimin (rating-un) e tyre, për aq sa ka vlerë dhe peshë stabiliteti në procesin e vlerësimit dhe të investimeve”. “Në këtë kontekst, unë shoh një perspektivë të madhe të vendit dhe rajonit në rrugën e zhvillimit të shpejtë”, theksoi Berisha. Sipas tij, ekonomia shqiptare, që po bëhet çdo ditë e më shumë tërheqëse për investimet e huaja, me stabilitet makroekonomik të qëndrueshëm dhe me ritme në rritje të rritjes ekonomike, kërkon zhvillimin edhe të tregut të punës. “Shqipëria, - u shpreh Kryeministri - po bëhet çdo ditë e më shumë më tërheqës për investitorët e huaj. Stabiliteti makroekonomik është i qëndrueshëm, ritmet e rritjes ekonomike janë në rritje, eksportet po rriten me shpejtësi, vitin e kaluar eksportet kanë qenë 28 për qind më shumë se në vitin 2006, këtë vit eksportet “made in Albania” janë 32 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”. Duke theksuar se në 2-3 vitet e fundit, qeveria ka bërë përpjekje serioze të mëdha për zhvillimin e këtij tregu, Kryeministri konsideroi të rëndësishëm në këtë drejtim përshtatjen e sistemit arsimor dhe orientimin e krahut të punës me kërkesat e tregut. “Qeveria ka mbajtur në paketën fiskale një qëndrim shumë agresiv në lehtësimin e biznesit, duke e bërë Shqipërinë, vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë, ka mbajtur një qëndrim agresiv në reduktimin e burokracisë mbi biznesin, duke vendosur One Stop Shop për regjistrimin e tij dhe po shkojmë drejt One Stop Shop për licencat dhe lejet, pasi gjatë këtij muaji ne do të heqim nga lista mbi 50 për qind të tyre, sërish nevojitet një përqendrim shumë më i madh në drejtim të përshtatjes së tërë sistemit arsimor drejt tregut, i cili në disa sektorë ka uri të madhe. Qeveria që unë drejtoj ka katërfishuar penetrimin e Teknologjisë së Informacionit në shoqëri, por nuk mund të them se është katërfishuar shkalla e përgatitjes së operatorëve dhe punonjësve të fushës. Kjo ndodh edhe me sektorë të tjerë. Ndaj detyre kryesore është përqendrimi, orientimi me shpejtësi i resurseve drejt përshtatjes së krahut të punës, aftësimit të tij me kërkesat e kushtet e tregut, vendosjes së standardeve më liberale të mundshme.”Duke theksuar se disa vende të Azisë janë konkurruese në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se Shqipëria gëzon avantazhin e prodhimeve evropiane, të cilin duhet ta shfrytëzojë. ““Made in Europe” është “Made in Europe”, ndaj ne duhet të shfrytëzojmë këto avantazhe që ofron prodhimi në kontinent”. Kryeministri shprehu optimizmin se Shqipëria dhe rajoni së shpejti do të jenë vend dhe rajon i rritjes së shpejti ekonomike, me resurse të jashtëzakonshme e potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. “Tani, rajoni ka gjetur paqen e stabilitetin e domosdoshëm, ka të gjitha marrëveshjet për një hapësirë tregu të lirë. Ndaj unë e shoh me optimizëm si stabilitetin, rritjen e shpejtë dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe të rajonit”, theksoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›