E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti kundërshton procedurën e ndjekur në shpalljen e dekreteve për në Gjykatën e Lartë

Ligjet vendosën dje me shumicë votash, që të shkojnë në Kuvend me një raport për gjykimin e proçedurës së ndjekur nga presidenti i Bamir Topi për emërimin e 5 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, duke mos votuar në komision të pesë dekretet.
Në mbledhjen e djeshme ligjet diskutuan për disa orë me radhë dekretet e Presidentit Topi për 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë, madje duke vijuar me debate mes anëtarëve të PD dhe PS, përsa u takon dekreteve të presidentit Topi. Mazhoranca i cilësoi dekretet e kreut të shtetit, në kundërshtim me Kushtetutën dhe pritet që të rrëzohen në Kuvend të gjitha kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Deputetët e shumicës parlamentare në Komisionin e Ligjeve vendosën dje që në seancën plenare të mos votohet për secilën kandidaturë, por për proçedurën e dekretimit të tyre në tërësi. Nga ana e saj opozita, deklaroi votën pro dekreteve të presidentit Topi, madje duke mos parashtruar si argument tezën e mazhorancës, se cështja nuk ishte tek emrat, por tek procedurat e ndjekura. Opozita gjykoi gjithashtu se zgjidhja kushtetuese nuk është dërgimi në parlament i një raporti, por rrëzimi i dekreteve, në kushtet e kundërshtimit të procedurave të ndjekura nga presidenti. Deputeti socialist anëtarë në komision, Fatmir Xhafa deklaroi se ajo që duhet të shihet mbi këto emërime është vetëm transparenca e inicimit të propozimeve. Xhafa spekulloi me idenë se mazhoranca bllokon dekretimet për faktin se nuk janë anëtarë të saj. “Mazhoranca ka bllokuar dekretet e Presidentit vetëm për faktin se kandidaturat nuk janë anëtarë të PD-së”, tha Xhafa. Kryetari i komisionit të ligjeve Fatos Beja, deklaroi se ligjet do të paraqesin në kuvend një raport për procedurën e dekretimit të anëtarëve tyë Gjykatës së Lartë. “Komisioni nuk është marrë me emra konkretë, por me proçedurën e emërimit të këtyre gjyqtarëve”, tha Beja. Emrat e rinj për Gjykatën e Lartë (Kristaq Traja, Altina Shoxhaj, Medi Bici, Artan Zeneli e Zamir Poda), të cilat po qëndrojnë në zyrat e Kuvendit pa kaluar në seancë, ka qenë edhe preteksti i opozitarëve për të akuzuar kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli se po merr funksionet e Presidentit dhe kanë kërkuar mocion shkarkimi ndaj saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›