E Diel, 1 Nëntor 2026

Cefa: Drejtësia ka probleme, do kthejmë besimin e gjyqtareve te KLD

TIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në kuadër të 100-vjetorit të drejtësisë shqiptare, ka hapur dyert për qytetarët, në mënyrë që ata të njihen nga afër me funksionimin e këtij institucioni.

Nënkryetari i këtij institucioni, në një intervistë për “News 24” deklaroi se kjo nismë është inicuar nga presidenti Nishani. Ndërsa theksoi se nuk mund të mohohen problemet dhe perceptimi i publikut për sistemin e drejtësisë në këtë 100-vjetor, zoti Cefa theksoi se ka pasur edhe arritje të shumta në këto vite.

“Krijimi i një dimensioni të ndërgjegjes së publikut për sistemin e drejtësisë. Ne jemi krejtësisht të ndërgjegjshëm që perceptimi që publiku ka për drejtësinë nuk është në nivele të kënaqshme, por jemi po ashtu krejtësisht të ndërgjegjshëm që ky perceptim nuk pasqyron në fakt realitetin. Drejtësia në Shqipëri në këtë 100-vjetor ka probleme dhe këto nuk mund t’i mohojë askush, por absolutisht ka arritje të jashtëzakonshme dhe po ashtu dhe këto nuk mund t’i mohojë askush. Ne duhet tu tregojmë shqiptarëve që jo të gjithë gjyqtarët apo prokurorët në Shqipëri janë të korruptuar apo janë të padrejtë. Ne duhet tu tregojmë shqiptarëve që ne do të dimë ta administrojmë dhe ta ngremë në një nivel më të lartë procesin e dhënies së drejtësisë në Shqipëri. Për fat të keq, deri sot, ose të paktën deri para një viti kur unë mora detyrën, sistemi i vlerësimit, qoftë edhe vlerësimi i parë për një gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë nuk ishte bërë. Kjo ka qenë sfida ime kryesore, jo vetëm e imja por dhe e Presidentit të Republikës, i cili ka marrë një angazhim publik që nuk do të bëjë asnjë lloj promovimi në sistem pa mbaruar më parë vlerësimi i karrierës profesionale e gjyqtarëve. Ne për këtë po punojmë fort. ”- deklaroi Cefa.

Nënkryetari i KLD-së ka pritur në zyrën e tij studentë të drejtësisë, me të cilët ka diskutuar për sfidat që ka drejtësia shqiptare por edhe organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni mjaft të rëndësishëm. Të gjitha institucionet e drejtësisë do të kenë aktivitete gjatë gjithë kësaj jave, për të kremtuar 100-vjetorin e drejtësisë shqiptare.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›