E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çela: Garantim i procesit zgjedhor brenda kuadrit ligjor

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela mori pjesë sot në një tryezë për krimet zgjedhore të organizuar nga shoqëria civile lidhur me zgjedhjet elektorale të 11 majit, ku foli mbi rolin e Prokurorisë për sigurimin dhe garantimin e procesit zgjedhor brenda kuadrit ligjor.

Në këtë tryezë ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare etj.

Në fjalën e tij Çela theksoi se “fakti që ndodhemi këtu me përfaqësues nga shoqëria civile, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, tregon që ka një shqetësim real sa i përket procesit zgjedhor, atyre që përbëjnë shkelje të natyrës administrative, por edhe ato që janë vepra penale që e cenojnë këtë proces”.

“Por, tregon njëkohësisht edhe përgjegjësinë që ne të paktën, si institucione, jemi të ngarkuar me hetimin dhe ndjekjen penale, shfaqim në raport me ecurinë e këtij procesi dhe rolin tonë për sigurimin, garantimin e këtij procesi në përputhje brenda kuadrit ligjor, edhe në raport me çfarë ne si institucione të drejtësisë duhet të kryejmë në këtë aspekt”, theksoi Çela.

Sipas tij, standardet janë gjithmonë të rëndësishme dhe lidhen edhe me ato të hetimit dhe ndjekjes penale.

“Në këtë kuadër kemi parë vazhdimisht me shumë vëmendje, cili ka qenë perceptimi publik si nga shoqëria civile, dhe cilat kanë qenë edhe reagimet e subjekteve zgjedhore në raport me proceset elektorale. Kemi vëzhguar dhe kemi marrë pjesë aktivisht në disa punë kërkimore sa i përket performancës së Prokurorisë sa i përket hetimeve të krimeve zgjedhore dhe fryt i kësaj vëmendjeje institucionale janë një sërë masash, të cilat ne i kemi marrë në funksion të procesit zgjedhor dhe në përmbushje të atyre që janë detyrat tona ligjore dhe kushtetuese”, nënvizoi Çela.

Kjo punë nuk nisi dje, vijoi Çela. kjo ka qenë në vijim të një sërë analizash që kemi kryer në drejtim të performancës institucionale dhe të pritshmërive të atyre që kanë shkuar mirë apo jo mirë.

“Ne kemi marrë kontakt me përfaqësues të disa institucioneve për të synuar jo vetëm fuqizimin e kapaciteteve institucionale të brendshme, por edhe për të rritur mirëfunksionimin dhe efikasitetin nëpërmjet ndërveprimit mes njëri-tjetrit. Vendimmarrjes sonë për organizimin e seksioneve të përkohshme, të posaçme me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm i parapriu një marrëveshje me Policinë e Shtetit për të rritur potencialisht ndërveprimin institucional dhe për të përmirësuar kapacitetin tonë gjatë situatave që krijohen gjatë procesit zgjedhor që lidhen me kryerjen e veprave penale”, tha Çela.

Kryeprokurori Çela u shpreh se “ka rritje të kapaciteteve njerëzore, por edhe rritje të kapaciteteve teknike që vihen në dispozicion për rritjen e zbulimeve të krimeve zgjedhore”.

Çela bëri të ditur se “jemi në fazat e fundit të një protokolli të koordinimit institucional me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përmes të cilit synojmë identifikimin e shpejtë të problemeve të atyre që përbëjnë fakte, vepër penale, transmetimin e shpejtë të këtyre fakteve, denoncimeve, raportimeve, prokurorive sipas kompetencës së tyre vendore, nxitjen e këtyre prokurorive për të vepruar shpejt me një qasje proaktive, çka është edhe një nevojë dhe dhënie në kohë të informacionit sa i përket asaj që bëhet dhe nuk bëhet”.

Më tej Çela foli për bashkëpunimin dhe ndërveprimin me Prokurorinë e Posaçme, duke theksuar se “pavarësisht se kemi të bëjmë me procesin zgjedhor veprat penale që hetohen janë të ndryshme dhe ne jemi komplimentarë në mënyrën sesi bashkëveprojmë sa i përket këtij procesi. Shumë shpejt do të kemi me Prokurorinë e Posaçme një marrëveshje, ku ne do të maksimizojmë kapacitetet tona dhe do të ndërveprojmë në mënyrë efikase gjatë procesit zgjedhor në mënyrë që veprimtaria jonë të jetë e mirëkoordinuar, gjë që do të rrisë mirëfunksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Posaçme në drejtim të hetimit të krimeve zgjedhore”.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›