Prej 20 vitesh udhërrëfyese turistike, Flutura Xhafa për ATSH-në: Turistët e huaj interes për “Klasën e gatimit”

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Flutura Xhafa, prej 20 vitesh shoqëron turistët vendas e veçanërisht të huaj në guidat e tyre gjatë vizitës në qytetin e një mbi një dritareve.
Xhafa thotë se puna e saj e përditshme me turistët i jep shumë kënaqësi, pasi ka mundësi të tregojë vlerat, traditën dhe historinë e qytetit të Beratit, që tërheq çdo vit mijëra vizitorë.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, sot në Ditën Ndërkombëtare të Udhërrëfyesve Turistikë, Flutura Xhafa tha se “prej vitit 2006 jam një guidë lokale për qytetin e Beratit, ku profesionin e kam nisur në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, ku kam kryer shumë trajnime dhe licencime për kryerjen e këtij profesioni. E kam bërë këtë punë si freelancer (profesionist i lirë që bën punë sipas kërkesave – shën. i red.), kam punuar edhe si guidë kombëtare për Shqipërinë, por vitet e fundit jam fokusuar vetëm në qytetin e Beratit. Që kur Ministria e Kulturës filloi licencimin edhe unë jam e pajisur me licencën e guidës turistike”.
“Pasioni dhe dashuria për qytetin e Beratit më jep motiv që ta bëj punën time me shumë kënaqësi. Çdo ditë në guidat e mia me turistët ju tregoj për vlerat, traditën dhe historinë e qytetit. Gjatë sezonit të verës është një punë e ngjeshur, e bukur, pak e lodhshme për temperatura e larta që kanë qenë vitet e fundit, por kënaqësia që të jep është shumë e madhe”, theksoi Xhafa.
Xhafa tregon se punon me grupe turistësh nga vende të ndryshme të botës, të cilët i shoqëron në vizitat e tyre në monumentet kulturore në qytet dhe në pika të ndryshme të tij.
“Shoqëroj kryesisht turistë nga Italia dhe Izraeli dhe të shteteve të ndryshme. Jam guidë anglishtfolëse dhe italisht folëse. Kam 20 vjet që e ushtroj këtë profesion dhe do ta vazhdoj deri sa të kem mundësi. Jam e certifikuar edhe në guidat në natyrë, ku në kanionet e Osumit kam shoqëruar grupe të ndryshme turistësh duke u treguar bukuritë dhe monumentet e natyrës që ndodhen pranë kanioneve”, u shpreh Xhafa.
Xhafa vuri në dukje se gjatë guidave turistët kanë kuriozitet për historinë, legjendat, muzeun “Onufri”, rrugët plot ngjyra të Beratit etj.
“Guidat e mia në punën e përditshme nisin nga Kalaja, pastaj në dy lagjet, Mangalem e Gorricë, Urën e Goricës, që janë shumë të kërkuara për t’u vizituar nga turistët. Nuk mund të lemë anash pjesën e qendrës mesjetare që është një aset i shtuar për Beratin, ku ndodhet xhamia Mbret, teqeja Helvetive, Konakët e Dervishëve etj., për t’u përmbyllur me qendrën e qytetit”, theksoi Xhafa.
Turistët e huaj, shton Xhafa, vitet e fundit po tregojnë interes edhe për “Klasën e gatimit”.
“Shumë restorante në qytet e kanë bërë pjesë të aktivitetit të tyre “Klasën e gatimit”, ku shumë turistë që vijnë në Berat kërkojnë të mësojnë më shumë rreth kulinarisë shqiptare dhe asaj beratase në veçanti”, tha Xhafa.
Xhafaj tha se “me punën time mundohem t’ua bëj qëndrimin turistëve sa më të thjeshtë dhe më të bukur, në një qytet ku fluksi i turistëve sa vjen e shtohet”.
Fluksi i madh i turistëve vendas dhe të huaj e ka shndërruar turizmin në industri më vete dhe në një shtyllë kryesore që vë në lëvizje ekonominë e Beratit.
1 nga 13/k.s/r.e/