Çela: Pozitive ndryshimet në procedurën penale, problematike infrastruktura në disa prokurori

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Prokurori i Përgjithshëm, Olsjan Çela vuri theksin sot te sfidat me të cilat përballet sistemi i prokurorisë, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për infrastrukturën, sigurinë në institucionet e drejtësisë dhe trajtimin financiar të magjistratëve.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, ku zhvillohet procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Çela u ndal edhe te nevoja për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe rritjen e besimit të publikut te drejtësia.
Çela theksoi se procesi zgjedhor për anëtarët e rinj të KLP-së është një mundësi për të reflektuar mbi funksionimin e deritanishëm të institucionit, arritjet dhe mangësitë, si dhe sfidat që duhet të përballojë sistemi i drejtësisë.
Sipas tij, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka një rol thelbësor në garantimin e pavarësisë së prokurorëve, mbrojtjen e statusit të tyre, zhvillimin e karrierës mbi bazën e meritokracisë dhe sigurimin e llogaridhënies përmes procedurave disiplinore transparente dhe objektive.
Çela u shpreh se sistemi i prokurorisë po përballet prej disa vitesh me një periudhë të vështirë, për shkak të vakancave në organikë dhe mbingarkesës së punës.
Kryeprokurori Çela nënvizoi se mbetet ende shumë punë për t’u bërë, veçanërisht për uljen e numrit të dosjeve të mbartura, rritjen e shpejtësisë dhe cilësisë së hetimeve, përmirësimin e përfaqësimit në gjykim dhe forcimin e kapaciteteve profesionale e teknike.
“Ulja e numrit të dosjeve të mbartura, rritja e shpejtësisë dhe cilësisë së hetimit dhe përfaqësimit në gjykim, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, konsolidimi më tej i bashkëpunimit me partnerët tanë brenda dhe jashtë vendit, rritja e kapaciteteve profesionale, teknike dhe infrastrukturore, kërkojnë një angazhim konstant e të gjithanshëm”, tha ai.
Një tjetër sfidë, sipas tij, është përshtatja me sistemin e ri të menaxhimit të çështjeve, i cili pritet të përfundojë në vitin 2028 dhe që do të mundësojë modernizimin e veprimtarisë institucionale përmes digjitalizimit.
“Sistemi i ri i menaxhimit të çështjeve që do të përfundojë në vitin 2028, përbën një sfidë sa i përket adaptimit efikas, por edhe një mundësi për t‘ja përshtatur përfundimisht veprimtarinë institucionale epokës dixhitale”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Çela ngriti shqetësimin për kushtet infrastrukturore në disa prokurori të vendit, duke përmendur veçanërisht Tiranën, Durrësin, Fierin dhe Sarandën.
“Zgjidhja e problemeve të infrastrukturës në disa nga prokuroritë e vendit është nevojë urgjente dhe përbën një moment kritik që ka potencialin për të penguar mbarëvajtjen e punës dhe nuk mund të zgjidhet pa mbështetjen e ekzekutivit. Edhe pse është ecur mjaft në këtë drejtim përmes sigurimit të kushteve normale të punës në një pjesë të madhe të prokurorive, realizimi i projekteve të nisura në prokuroritë që kanë probleme si Tiranë, Durrës, Fier e Sarandë do të kërkojë kohë, ndërkohë që plotësimi i organikave do ta rëndojë situatën më herët se koha që nevojitet për realizimin e tyre”, tha ai.
Çela shtoi se “ndërsa kam mbajtur një qëndrim të qartë sa i përket kundërshtisë ndaj nevojës për një kod të ri penal dhe projektit të lidhur me të, vlerësoj pozitivisht çdo përpjekje për përmirësimin e kuadrit ligjor procedural penal”.
Sipas tij, prokuroria do të jetë kontribues pozitiv në gjetjen e zgjidhjeve që sigurojnë një sistem hetimi dhe gjykimi efikas, i cili të garantojë njëkohësisht edhe të drejtat e palëve në proces.
“Përmirësimet në këtë aspekt janë një nevojë reale, aq më tepër në kushtet e mbingarkesës, e cila ka ardhur edhe si pasojë e disa zgjedhjeve inefikase në ndryshimet që ju bënë Kodit të Procedurës Penale në vitin 2017. Për të disatën herë përgjatë këtyre viteve më duhet të them publikisht se ka nevojë që procesi të mos ngadalësohet në fazën e seancës paraprake, ndaj duhet të gjejmë zgjidhje të përshtatshme që respektojnë qartësisht funksionet procedurale në përputhje me standardet kushtetuese, dhe në këtë frymë sigurojnë edhe respektimin e garancive procedurale për palët. Përtej kësaj çështje, çdo ndryshim duhet të jetë i kujdesshëm, në përputhje me përvojën, por edhe kapacitetet që ne kemi në infrastrukturë dhe burime njerëzore”, tha ai.
Një tjetër çështje e ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm ishte trajtimi financiar i magjistratëve. Çela kërkoi një dialog real dhe konstruktiv mes të gjitha palëve për të arritur një zgjidhje përfundimtare për sistemin e pagave, në përputhje me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.
Ai deklaroi se Prokuroria e Përgjithshme e ka përcjellë qëndrimin e saj për këtë çështje në komunikimet zyrtare me Kuvendin dhe se do të kontribuojë në çdo nismë që synon një zgjidhje tërësore.
Në fjalën e tij, Çela theksoi se përmirësimi i funksionimit të prokurorisë kërkon angazhim të përbashkët, koordinim mes zyrave dhe bashkëpunim mes niveleve të ndryshme të institucionit.
Ai vlerësoi si thelbësore marrëdhënien mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri për mirëfunksionimin e sistemit. Në këtë kontekst, përmendi edhe memorandumin e bashkëpunimit të nënshkruar këtë vit mes dy institucioneve.
Gjatë së njëjtës mbledhje do të zgjidhet edhe një përfaqësues nga radhët e prokurorëve në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Çela vlerësoi rëndësinë e këtij organi në garantimin e standardeve të formimit fillestar dhe të vazhdueshëm të magjistratëve, duke kërkuar nga anëtari i ri një angazhim serioz, aktiv dhe konstruktiv gjatë mandatit katërvjeçar.
/m.q/a.f/r.e/