E Diel, 1 Nëntor 2026

“Territorialja”, Zhupa: Deputetët e PS-së u depersonalizuan; Malaj: Vendim politik, ne kemi 85 mandate

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Debati për reformën territoriale vijoi në Kuvend, pak orë pas miratimit të saj në seancë plenare me 85 vota.

Deputetja e Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, kritikoi mënyrën se si deputetët e mazhorancës votuan projektligjin, duke i akuzuar se ndryshuan qëndrimin e tyre pas një seance të gjatë parlamentare.

Gjatë hapjes së punimeve të komisionit parlamentar, Zhupa deklaroi se deputetët e Partisë Socialiste ishin vënë në rresht për të votuar në favor të reformës, edhe pse disa prej tyre, sipas saj, kishin shprehur kundërshtime gjatë diskutimeve.

“Ju zgjodhët që t’i vinit deputetët në rresht, duke i depersonalizuar, për të votuar atë që kishin kundërshtuar gjithë ditën, për ta votuar natën”, u shpreh Zhupa.

Ajo kritikoi deputetët që, sipas saj, mbajtën fjalime kundër reformës, por më pas votuan pro saj, duke e cilësuar këtë sjellje si mungesë përfaqësimi dhe përgjegjësie ndaj qytetarëve.

Zhupa theksoi se Kuvendi duhet të jetë një institucion ku deputetët shprehin qëndrimet e tyre në mënyrë të pavarur dhe jo të funksionojë si një strukturë që zbaton vendimet e partisë.

“Përfaqësim është të përfaqësosh atë që të kërkojnë qytetarët. Përfaqësim është të kesh përgjegjësi”, tha ajo, duke e lidhur mënyrën e votimit me funksionimin e demokracisë parlamentare.

Duke iu referuar ndryshimeve territoriale, deputetja e PD-së deklaroi se opozita do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, për të kërkuar, sipas saj, respektimin e Kushtetutës, vullnetit të 225 mijë banorëve dhe mendimit të 15 këshillave bashkiakë.

Ajo kundërshtoi shkrirjen e bashkive, duke argumentuar se ndryshimet prekin identitetin historik dhe kulturor të qyteteve, si dhe interesat e banorëve.

Zhupa u shpreh gjithashtu se opozita ka marrë pjesë në diskutimet për nismat ligjore dhe ka dëgjuar grupet e interesit, ndërsa kundërshtoi atë që e cilësoi si shndërrim të Kuvendit në një strukturë që zbaton vendimet e partisë.

Nënkryetari i Komisionit, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj tha se duhet ruajtur etika mes kolegëve, ndërsa shtoi se votimi ishte vendim politik dhe jo personal i deputetetëve.

“E para, do të doja që të të ruajmë etikën, sepse po etikojmë në gjuhë jo fort etike disa kolegë të cilët kanë në atë sallë që kur unë edhe ju, kryetare, kemi qenë shkollë fillore”.

“Edhe mendoj që vetëm sepse llogaritë kësaj radhe nuk ju dolën siç duhet dhe 7 x 7 ju dolën 85, nuk është faji ynë. Ne jemi parti politike, marrim vendime politike dhe jemi aty për të çuar përpara të gjitha ato reforma që u kemi premtuar qytetarëve shqiptarë që në programin tonë në zgjedhjet e fundit. Kjo ka qenë pika e parë e programit tonë politik”, tha Malaj.

“Dhe nuk shoh këtu asnjë arsye për të bërë atë që ju bëtë dje, jo ju personalisht, por forca juaj politike, një linçim individual të deputetëve që përfaqësojnë bashkitë të cilat u prekën nga kjo reformë. Linçim personal, linçim i bizneseve të ndonjërit prej tyre, linçim deri në fyerje, fyerje të secilit prej këtyre deputetëve vetëm e vetëm për t’i vënë nën presion që 7 x 7-a mos t’ju dilte 85″, tha Malaj.

Sipas tij, mazhoranca që në mëngjes e kishte të qartë se dispononte 85 vota, pasi aq mandate ka siguruar nga zgjedhjet e vitit 2025.

“Por do t’ju lutesha që ato skena që pamë dje në seancë plenare të mos i përsërisni sepse, patjetër, sepse do rrini në opozitë edhe 30 vjet. Por duhet të pranoni një gjë: ka ardhur koha që kur tjetri, kur tjetri merr një vendim dhe voton, vetëm sepse s’të pëlqen ty nuk mund ta qëllosh me asgjë, as ta lagësh me ujë, as të krijosh situata në atë sallë, sepse ne aq jemi, nuk e di pse juve nuk ju dilnin llogaritë, po ne aq jemi, aq kemi qenë”, u shpreh ai.

“Edhe nëse një ka firuar rrugës, është vendim i saj personal, të tjerët aq kemi qenë ne, përherë. Kështu që s’e kuptova se pse u irrituat në një rezultat që dihej.

Prandaj, ju lutem zonja kryetare, me gjithë mosdakordësitë që mund të kemi, të mos kalojmë sidomos në fyerje dhe linçime. Mendoj, shtoi Malaj, që si të rinj në atë sallë, të paktën duhet të distancohemi nga çdo veprim që nuk i shkon deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, si unë, si ju, si çdo deputet këtu, sidomos ne të rinjtë”.

Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” me votim me shumicë të cilësuar.

Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi me 85 vota pro ndarjen e re territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 bashki, ndërsa 12 qarqet ekzistuese do të mbeten të pandryshuara.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›