14 persona nën hetim për veprimtari financiare pa licensë në Fier, sekuestrohen mbi 92 mijë euro

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Transaksioni 2”, në kuadër të të cilit janë ekzekutuar 11 masa sigurie “Arrest në shtëpi” dhe masa sigurie ndaj tre shtetaseve të tjera, të dyshuara për ushtrim pa licensë të veprimtarive financiare.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, në zbatim të vendimit të gjykatës.
Në zbatim të vendimit të gjykatës, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasit: E. Dh., 55 vjeç, H. Sh., 58 vjeç, E. I., 34 vjeç, A. I., 45 vjeç, L. T., 27 vjeç, L. Z., 57 vjeç, F. D., 67 vjeç, V. B., 58 vjeç, R. S., 39 vjeç, D. A., 36 vjeç dhe Ç. S., 38 vjeç, banues në Fier dhe Tiranë.
Gjatë kontrolleve në njësi tregtare dhe banesat e personave nën hetim, u sekuestruan shuma parash në disa monedha, konkretisht 4 461 000 lekë, 92 390 euro, 8 215 paund, 19 022 dollarë dhe 220 franga.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e njërit prej personave ndaj të cilëve u ekzekutua masa “Arrest në shtëpi”, u gjetën dhe u sekuestruan një armë sportive e tipit pistoletë, dy mjete prerëse dhe një fishek. Për këtë shtetas nisi procedimi penal edhe për këto sende të gjetura.
Policia bëri të ditur se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon angazhimi për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare.
/a.f/r.e/