Celibashi: Edhe 12 ditë për aplikim si votues nga jashtë, regjistrohuni në PER

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Edhe 12 ditë kanë mbetur për të aplikuar në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) për t’u regjistruar si votues nga jashtë.
Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale u bën thirrje shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që të regjistrohen deri më 4 mars 2025.
Celibashi thekson se “nëse je një nga zgjedhësit nga jashtë të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim në PER, keni të drejtë të riaplikoni pa kufizim deri në datën 4 mars 2025”.
“Përpara se të riaplikoni duhet të: Lexoni me kujdes arsyen e refuzimit të kërkesës, të cilën e gjeni në llogarinë tuaj në PER. Klikoni linkun që është në përmbajtjen e mesazhit të dërguar nga KQZ në telefonin tuaj apo në adresën e-mail. Nëpërmjet këtij linku do të merrni ndihmë direkt nga KQZ”, shkruan Celibashi.
/a.f/r.e/