“Independent” promovon Shqipërinë, Rama: 325 mijë vizitorë britanikë udhëtuan në 2024-ën

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ E përditshmja britanike “Independent” ka promovuar Shqipërinë si destinacionin numër një për të udhëtuar në vitin 2025.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale artikullin e publikuar nga e përditshmja “Independent” e cila sugjeron Shqipërinë si vendin që ka një larmi të madhe peizazhesh natyrore.
“The Independent” promovon Shqipërinë si destinacionin numër një për të udhëtuar në vitin 2025 si një arratisje mes pafundësisë së peizazheve natyrore brenda një territori të vogël, ndërsa Tirana – kryeqyteti që të jep ndjesinë e kompensimit të kohës së humbur, merr jetë nga skena e saj kulturore bashkëkohore”, shkruan Rama.
Kryeministri Rama bën të ditur se “325 mijë vizitorë nga Britania e Madhe udhëtuan drejt Shqipërisë gjatë vitit 2024, një prej tregjeve me rritjen më të qëndrueshme që pas vitit 2019”.
“Parku Kombëtar i Thethit, në veri të vendit është shtëpia e ecjeve të shkëlqyera dhe pamjeve befasuese si Syri i Kaltër, një burim karstik me ujëra të kaltra. Aty pranë, Bjeshkët e Nemuna formojnë Alpet Dinarike. Ky vend me majat e frikshme, të thepisura, që rrethojnë luginat e gjelbra akullnajore – me lule të egra në pranverë, sigurisht që ia vlen të vizitohet përpara se të zbulohet dhe të bëhet një nga destinacionet më të nxehta të ecjes në Evropë”, shkruan ndër të tjera Daniel Stables në të përditshmen britanike “Independent”.
Një vëmendje të veçantë në shkrimin e saj Stables i kushton edhe kryeqytetit, Tiranës, duke theksuar se “Tirana, ju jep ndjesinë e një vendi që kompenson kohën e humbur”.
“Arkitektura e larmishme e qytetit pasqyron shumëllojshmërinë e tij kulturore, lëvizjen e tij përmes diktaturave fashiste dhe komuniste dhe hapjen e tij ndaj botës më të gjerë që nga vitet 1990”, thuhet në artikullin e “Indipendent”.
/k.s/r.e/