Celibashi: Kemi 927 raste për tentativë për votim të dyfishtë! 29 denoncime në KQZ

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se deri më tani janë 927 raste ku është tentuar të ketë një votim të dyfishtë. Sa i përket konstatimeve për votim të dyfishtë, Celibashi tha se në fund të procesit do shohin nëse ka raste që duhen ndjekur penalisht.
Lidhur me denoncimet në KQZ janë 29, ku Celibashi tha se 4 vijnë nga PS dhe koalicioni ‘Bashkë Fitojmë” dhe shumë denoncime të tjera nga qytetarët.
Denoncimet kryesisht janë bërë në bashkitë Tiranë, Elbasan, Dropull, Kamëz, Konispol, Lezhe, Peshkopi dhe Tropojë, ku kryesisht sipas Celibashit lidhen me prishjen e pajisjeve PEI, intimidimi i votuesve dhe parregullsitë lidhur me komisionerët në qendrat e votimit apo votimin familjar në disa bashki.
“Në total në KQZ janë 29 denoncime. 4 denoncime nga dy subjekte zgjedhorë, 3 nga PS dhe një BF. PS ka dy denoncime për kandidatin Luçiano Boçin dhe Belind Këlliçi, për thyerje të heshtjes zgjedhore nga ana e tyre. Ka një denoncim në KQZ nga Komiteti shqiptar i Helsinkit mbi shpërndarjen e bazës materiale në orët e para të votimit, dhe janë edhe 24 denoncime nga qytetar të ndryshëm”, tha Celibashi.
Kryekomisioneri tha se votimi ka qenë i qetë në përgjithësi, përtej incidenteve sporadike dhe problematikave që ka pasur për funksionimin e identifikimit elektronik, ku shtoi se KQZ njeh përgjegjësinë dhe kërkoi falje.
“Nëse dikush do ta tërheq KQZ në një debat jo produktiv, ne nuk kemi pse ta bëjmë, nëse ajo çfarë klasifikohet si parregullsi apo problematik në lidhje me funksionimin e pajisjeve të identifikimit, ka cenuar votën e një votuesi, ne ju themi që njohim përgjegjësinë dhe nëse kjo ka ndikuar tek ata edhe ndjesën e kemi kërkuar, nuk e di nëse dikush tjetër kërkon më shumë se kaq. Çfarë do duhet të ishte bërë ndryshe?
/rtsh.al/