E Diel, 1 Nëntor 2026

Celibashi: Rezultati me Inteligjencë Artificiale, i njëjtë me numërimin fizik

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi evidentoi sot testimin e Inteligjencës Artificiale në numërimin dhe vlerësimin e votave në zgjedhjet për bashkinë e Tepelenës

Në një konferencë për shtyp, Celibashi theksoi se, “testi i kryer dje ishte i suksesshëm dhe përmbushi pritshmëritë e KQZ-së”.

“Leximi dhe më pas numërimi i fletëve të votimit u krye me sukses të plotë duke përdor Inteligjencën Artificiale”, tha ai.

“U lexuan dhe analizuan në kohë reale nga programi përkatës kompjuterik. Në përgjithësi leximi dhe analiza e këtyre pamjeve prodhoi thuajse 100% të njëjtin rezultat të numërimit fizik. Pamjet e faqes ballore të fletës, u lexuan me saktësi të plotë nëpërmjet sistemit të IA. U konstatuan vetëm disa pasaktësi në leximin e pjesës së pasme të fletës së votimit”, shpreh Kryekomisioneri.

“Vlerësojmë që në të ardhmen arritja e saktësisë do të varet nga ndërtimi i disa protokolleve teknike që do të duhet të respektohen nga numëruesit dhe komisionerët”, tha Celibashi.

Ai u shpreh se, përdorimi i Inteligjencës Artificiale nuk shmang përdorimin e komisionerëve, teksa i pyetur nëse do të ishte dakord që të përdorej në zgjedhjet vendore të vitit 2027, ai tha se, do të ishte e udhës që të përdorej.

Por, Celibashi u shpreh se, nevojiten ndryshime në Kodin Zgjedhor që përdorimi i Inteligjencës Artificiale të bëhej zyrtar.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›