Celibashi siguron kandidatët në listë të hapur: KQZ ka marrë masat, nuk do lejohet ‘trafikimi’ i votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat organizative dhe teknike për të garantuar integritetin e numërimit dhe vlerësimit të votave parapëlqyese për të parandaluar çdo tentativë të mundshme të ‘trafikimit’ të votave për kandidatët e ‘listës së hapur’.
KQZ ka siguruar regjistrimin dhe dokumentimin e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave, duke përdorur pamje filmike të cilat do të shërbejnë për të verifikuar çdo hap të procedurës.
Në rast se do të konstatohet një mospërputhje midis pamjeve filmike dhe rezultateve përfundimtare të vlerësimit të votave për kandidatët, numëruesit apo komisionerët përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi penale për shkeljet e mundshme të integritetit zgjedhor.
“Komunikim për kandidatët për deputet në ‘Listën e Hapur’ Nisur nga disa shqetësime për integritetin e numërimit dhe vlerësimit të votave parapëlqyese, siguroj që KQZ ka marrë të gjitha masat organizative, njerëzore dhe ato teknike për të mos lejuar ‘trafikimin’ e votave për kandidatët e ‘listës së hapur’ të çdo subjekti.
KQZ ka regjistruar dhe ka pamjet filmike të procesit të numërimit dhe të vlerësimit të votave për partitë politike dhe koalicionet.
Nëse në procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave për kandidatët në ‘listën e hapur’ do të konstatohen mospërputhje tek çfarë rezulton në pamjet filmike me atë çfarë do të rezultojë në procesin e vlerësimit të votave për kandidatin, atëherë numëruesit apo komisionerët përgjegjës për këtë rast do të përgjigjen penalisht për shkeljen e rëndë të integritetit zgjedhor”, njoftoi kryekomisioneri Ilirian Celibashi./vizonplus.tv