E Shtunë, 31 Tetor 2026

Celularët, kompania e katërt, më 23 janar

Shehu: Prioritet do t’i jepet kompanisë që ofron tarifa më të ulëta se operatori ekzistues, më çmime të ulëta

Ofertat e kompanive që janë në garë për licencën e katërt hapen më 23 janar. Në garë, edhe kompani shqiptare

Kompania katërt në tregun e telefonisë së lëvizshme pritet të bëhet publike më 23 janar. Tashmë procesi i përzgjedhjes së operatorit të katër celular është në përfundim dhe në këtë datë do të hapen ofertat e bëra nga kompanitë e interesuara. Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Ilir Shehu, tha dje se të gjithë kompanitë e interesuara për marrjen e licencës së katërt kanë aplikuar on-line. Sipas tij, interesi për këtë licencë ka qenë i madh dhe gjeografia e kompanive shtrihet nga Europa deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shehu nuk preferoi të deklaronte emra kompanish, të cilat janë futur në garë, por tha se mes tyre është edhe një kompani shqiptare, e cila është në joint-venture me kompani ndërkombëtare. “Ne kemi qenë të kujdesshëm në hartimin e dokumenteve për tender, në mënyrë që të mos penalizojmë asnjë kompani vendëse apo të huaj për të marrë pjesë, por gjithashtu kemi aplikuar kritere të rrepta për garuesit”, - tha Shehu.

Çmimet

Kreu i APEK-së deklaroi se prioritet për t’u shpallur fituese, do të jetë ajo kompani, e cila ofron tarifa shërbimesh më të ulëta se operatori ekzistues, me çmimet më të ulëta në treg. Shehu tha se në muajin mars çmimet e telefonisë së lëvizshme do të pësojnë një ulje tjetër prej 20 përqindësh, ulje që pason atë të muajit shtator. “Pra, me uljen e tarifave pas muajit mars, ne mund të themi se brenda harkut kohor të një viti do të kemi një ulje të totale të tarifave në masën 40 për qind. Madje, aktualisht ne jemi nën mesataren e tarifave të Evropës”, - u shpreh Shehu. Në shtator të këtij viti tarifat e telefonisë celulare pësuan në ulje prej 20 përqindësh. Ulja erdhi si rezultat i miratimit nga Këshilli i Ministrave të metodologjisë së rregullimit të tarifave të operatorëve të telefonisë me fuqi të ndjeshme në treg. Aktualisht, në tregun e telefonisë celulare operojnë tri kompanitë, AMC, Vodafone dhe Eagle Mobile. Në total, këto kompani kanë deklaruar mbi 2.2 milionë abonentë.

Shërbimi i ri, ndërrim i kompanisë pa ndërruar numrin

Pas qershorit, abonentët e kompanive celulare mund të ndërrojnë operator pa qenë të detyruar të ndërrojnë numrin e kartës Sim. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i njohur më parë si Enti Rregullator i Telekomunikacioneve, po përgatit legjislacionin e duhur për zbatimin e këtij lloj shërbimi në vendin tonë. Kryetari i AKEP-it, Ilir Shehu, thotë se në qershor do të jetë afati përfundimtar për zbatimin e “Number portability”, që nënkupton ndërrimin e operatorit nga çdo klient, pa qenë i detyruar të ndërrojë numrin e kartës celulare. “Ne duam të përgatisim të gjitha procedurat para se të vëmë në zbatim këtë lloj shërbimi, në mënyrë që të mos dështojmë, siç kanë dështuar shumë vende të zhvilluara të Evropës”. Praktika e kalimit nga një kompani celulare në tjetrën, pa ndërruar numrin e telefonit aplikohet në shumë vende të zhvilluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›