Karlos Tevez: Dua të luaj me Realin!
Karlos Tevez i ka shpallur "luftë" trajnerit Sër Aleks Ferguson, duke deklaruar haptazi: "Unë dua të luaj për Realin e Madridit!". Sulmuesi argjentinas, e deklaroi ambiecien e tij për të luajtur, pikërisht te klubi që Fergusoni urren më shumë, për shkak të çështjes "Kristiano Ronaldo". Për një revistë spanjolle, Tevez tha: "Përse të mos luaj për Realin e Madridit? Më pëlqen mundësia. Dua të luaj për ta, sepse, ashtu si Mançesteri, edhe Reali është një nga skuadrat më të forta në botë. Do të ishte kënaqësi!". Ndërkohë, në një bisedë telefonike me "SunSport", 26-vjeçari tregoi frikën për të ardhmen e tij, pasi Junajtid ende nuk i ka bërë ofertë. Ai shtoi: "Nëse ata nuk vendosin të më mbajnë në skuadër, duhet të flasin me menaxherin tim, sepse ka klube të tjera që po presin radhën. Më kanë thënë se drejtuesit e Mançesterit do të më bëjnë një ofertë, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Unë e dua Mançesterin dhe tifozët janë të mrekullueshëm, por i kuptoj edhe rregullat e futbollit. Nëse një klub më ofron një kontratë pesëvjeçare, nuk kam si të zgjedh të qëndroj edhe gjashtë muaj të tjerë te Mançesteri". Tevez ka një kontratë me "djajtë" deri në muajin qershor, por mund të largohet që në janar, në bazë të rregullit të FIFA s. Kontrata e tij me Mançesterin mund të prishet kundrejt 5 milionë eurove. Gjithsesi, klubi, që e dëshiron Tevezin përfundimisht, duhet t'i paguajë kompanisë që zotëron kartonin e tij, plot 30 milionë euro. Vetë Ferguson ka garantuar disa herë se është gati ta paguajë këtë shifër, por fakti që shpenzoi 37 milionë euro për të blerë Berbatovin nga Totenhemi, tregon se mund të ketë plane të tjera. Tevez thotë se kërkesat e tij financiare nuk janë të ekzagjeruara. "Nuk do të bëj atë që unë kërkoj. Eshtë diçka mëse normale, ata (drejtuesit) e kanë kuptuar. Si mund të kem garanci unë, kur nuk kam marrë qoftë edhe një telefonatë të vetme nga drejtuesit? Nga ana tjetër, dëgjoj çdo ditë klube që janë gati të më japin gjithçka." Trajneri i ri i Realit të Madridit, Huande Ramos, në lidhje me blerjen e mundshme të Karlos Tevezit u tregua shumë i qartë: "Do të ishte diçka e shkëlqyer. Barça ka Mesin, Atletiko ka Aguerron, ndërsa ne me Tevezin. Do të barazonim forcat". Gjithsesi, vlen për t'u përmendur se kjo deklaratë ka ardhur përpara se Reali të blinte Huntelarin nga Ajaksi. Një gjë është e sigurt: telenovela "Tevez" ka nisur dhe gjithçka do të zgjidhet brenda janarit.