Veri, sërish komuna të bllokuara dhe vështirësi qarkullimi
Situata në zonat e thella vazhdon të mbetet problematike edhe pasi kanë pushuar reshjet e borës. Sipas të dhënave të fundit, komunat Zapod, Shishtavec, Kalisë, Bushtricë, Grykë-Çajë dhe Arrën vazhdojnë të mbeten të bllokuara. E bllokuar është edhe komuna Lekbibaj në Tropojë.
Pjesa më e madhe e rrugëve që lidhin Kukësin me komunat, janë të kalueshme me vështirësi dhe për këtë policia ka bërë të detyrueshëm qarkullimin me zinxhirë.
Përjashtim bën aksi Kukës-Shishtavec, i bllokuar për shkak të orteqeve dhe rrëshqitjes së skarpateve. “Vazhdon puna për hapjen e rrugës Kukës-Dajreç, e hapur deri në fshatin Domaj, dhe është mundësuar lidhja me aksin B.Curri- Qafë Luzhë-Bytyç-Krumë”- tjonë burimet zyrtare.
Si rezultat i punës së bërë nga strukturat përkatëse në Qarkun e Dibrës përfundoi hapja e rrugës për në Macukull të Matit si dhe u lidhën me rrugën kryesore komunat e Martaneshit dhe Ostrenit të rrethit të Bulqizës. Aktualisht në rrethin e Matit mbetet e bllokuar komuna Xibër dhe po punohet për hapjen e rrugës. Po kështu po punohet për hapjen e rrugëve për në komunën Trebisht të Bulqizës dhe për në komunat Reç, Selishtë e Lurë të rrethit të Dibrës
Në Qarkun e Shkodrës të gjitha akset e rrugëve nacionale janë të kalueshme, por në vende të ndryshme duhen përdorur zinxhirët. E bllokuar në këtë rreth mbetet rruga që lidh Shkodrën me komunat Shalë, Shosh, Pult dhe Temal.
Në Malësinë e Madhe e bllokuar mbetet rruga Selcë-Vermosh. Në rrethin e Pukës të bllokuara mbeten pjesa më e madhe e rrugëve që lidhin Pukën me komunat dhe rruga Fushë Arrëz-Iballë. Po punohet për hapjen e këtyre rrugëve. Shtabi i Emergjencës i ngritur në këtë qark nën drejtimin e Prefektit po e ndjek situatën në vazhdimësi.Nuk ka patur raste të emergjencës mjekësore.
Në Qarkun e Elbasanit ka probleme vetëm në rrugët që lidhin disa komuna me fshatrat e tyre. Po punohet në rrugët e fshatrave të komunave Rrajcë, Stërblevë dhe Orenjë.
Në të gjithë qarkun e Korçës rezulton se pothuajse të gjithë akset e rrugëve janë të kalueshme, si ato nacionale ashtu edhe ato rurale.
Në Qarkun e Lezhës po punohet për zhbllokimin e aksit Rrëshen-Kurbnesh-Lurë dhe Rrëshen-Kaçinar, ndërkohë të gjitha akset e tjera rrugore janë të kalueshme.
Dje në komunat e veriut dhe verilindjes u shpërndanë ndihma (ushqime, veshmbathje) me helikopter.