E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceremonia për Dom Nikoll Kaçorrin në kishën ku ka shërbyer

Në katedralen Shën Luçia, në qytetin e Durrësit, janë rivarrosur pas afër 100 vitesh eshtrat e patriotit të madh shqiptar Dom Nikoll Kaçorri. Pas sjelljes së eshtrave të tij nga Vjena disa ditë më parë, ditën e djeshme është zhvilluar një meshë e posaçme për këtë qëllim, e cila është drejtuar nga Imzot Damian Kurti dhe Arkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita. Ceremonia e zhvilluar në katedralen e vjetër të qytetit të Durrësit, në të cilën ka shërbyer për shumë vjet edhe Dom Nikoll Kaçorri, është ndjekur edhe nga autoritete të larta të shtetit. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë mbërritur njëri pas tjetrit rreth orës 10.00, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë edhe ministra dhe deputetë. Ceremonia kishtare është hapur nga Imzot Damian Kurti, i cili që në fillim ka vlerësuar aktivitetin e Nikoll Kaçorrit si klerik dhe patriot i madh, kontributi i të cilët është mjaft i rëndësishëm në punën përpara dhe gjatë shpalljes së pavarësisë së vendit më 28 nëntor 1912. Ceremonia ka vijuar më pas me meshën, që është drejtuar nga Arkipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Rrok Mirdita. Edhe Imzot Mirdita ka theksuar rolin e Imzot Nikoll Kaçorrit si një figurë e madhe e kombit shqiptar, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi përpjekjeve për pavarësinë e vendit. Imzot Rrok Mirdita ka theksuar në fillim të fjalës së tij se Nikoll Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar për tri arsye: E para, ai ka meritë të madhe sepse garantoi ardhjen dhe mbrojtjen e delegacionit shqiptar i nisur nga Trieste, i cili mbërriti në Durrës më 22 nëntor 1912. Garantoi udhëtimin e delegacionit drejt Vlorës, mori pjesë si firmëtar dhe delegat në Kuvendin e Vlorës dhe është një nga pesë delegatët e parë që ngritën flamurin shqiptar. Në qeverinë e parë pas Shpalljes së Pavarësisë, Nikoll Kaçorri u zgjodh zv/kryeministër i kësaj qeverie. Imzot Rrok Mirdita theksoi në këtë fjalim se për fat të keq kjo figurë e madhe e kombit mbeti në heshtje të plotë për shumë vite me radhë gjatë diktaturës komuniste. Në përfundim të meshës, ka folur edhe kryeministri Sali Berisha. Ai e ka cilësuar Dom Nikoll Kaçorrin si figurë të shquar të atdhetarizmit shqiptar. “Dom Nikoll Kaçorri zbriti nga lartësitë e Lurës për të shërbyer si figurë e lartë, si klerik katolik, por më shumë ai do të shquhet si një atdhetar i flaktë, mbrojtës i tërësisë tokësore dhe pavarësisë së vendit. Dom Nikoll Kaçorri shikonte drejt Perëndimit, sepse të tilla ishin idealet e tij. Vizioni i atdhetarëve në këtë kohë ishte Perëndimi, është shprehur kryeministri Berisha, pavarësisht se kishte pengesa të tilla si Haxhi Qamili. Por edhe në këtë kohë ka edhe sot “Haxhi Qamilë” që duan të pengojnë rrugën e drejtë me kah Perëndimin. Të jeni të sigurt se këta nuk janë asgjë tjetër veçse Don Kishotët e historisë sonë. Unë dua t’ju garantoj se asgjë nuk do ta pengojë rrugën tonë drejt Europës, vendimin tonë. Prandaj Dom Nikoll Kaçorri është një frymëzim i yni në këtë rrugë, prandaj ai është dhe do të mbetet shenjtori i pavarësisë së kombit tonë”. Pas ceremonisë që zgjati për rreth dy orë, krerët më të lartë të vendit, kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë ecur për disa minuta në këmbë përgjatë rrugës “Tregtare”, duke u përshëndetur me qytetarë të rastësishëm.

Jeta e firmëtarit të Deklaratës së Pavarsisë

Nikoll Kaçorri u lind në Krejë të Lurës në vitin 1862. Ai rridhte nga një familje babai i së cilës ishte katolik, ndërsa nëna e besimit musliman. Arsimi i tij pati për bazë studimet teologjike dhe në vitin 1884 mbaroi studimet filozofiko–teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës kompletohet me shkollë të rregullt, kulturë të lartë, duke mbaruar në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera. Ai ishte sekretar i Arkipeshkvisë së Durrësit, me qendër atë kohë në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Më vonë u emërua famullitar në Durrës. Dom Nikoll Kaçorri vdiq në sanatoriumin Würth, në Vjenë të Austrisë, pasi vuajti tre-katër muaj, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof. Ai është një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarsisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›