E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlonjatët nuk gabojnë asgjë, rikthehen në +7

SHKRUAN: Jeton Selimi 14-02-2011 11:26

Vlonjatët diktojnë kampionatin dhe këtë e bëjnë edhe ndaj skuadrës që po kalonte formën më të mirë në superligë: Vllazinë, të drejtuar nga Mirel Josa. Dy gola, nga një për çdo pjesë, kanë kurorëzuar ndeshjen perfekte të kuqezinjve, që i përgjigjet kështu më së miri Skënderbeut, që një ditë më parë e kishte ngushtuar diferencën në -4. Por ekipi i Gash Maganit është diçka më shumë sesa një skuadër pretendente, sikundër ekipet e tjera: Flamurtari është favoriti numër një për ta fituar këtë titull, 20 vjet pasi ka fituar titullin e parë dhe të vetëm në historinë e tij. Vlora po pret...

Ka qenë një ndeshje që praktikisht e ka nisur sfidën e saj që me deklaratat e ditës së hënë, ku si vlonjatet, ashtu edhe shkodranët, kanë kërkuar të ‘trembin’ njëri-tjetrin duke ushtruar një farë presioni psikologjik. Flamurtari, i bindur në forcën e tij momentale, nuk kërkonte të nënshtrohej para kohe ndaj Vllaznisë dhe historisë më të pasur kuqeblu. Megjithatë, jo gjithmonë është tradita ajo që triumfon. Dhe sinjalin e kësaj e dha Sebino Plaku, në të 36-ën. Sulmuesi tiranas shfrytëzon në mënyrën më të mirë harkimin e Julian Ahmatajt, duke goditur shkëlqyeshëm brenda zonës dhe duke tundur rrjetën e Vllaznisë. Është pikërisht ky moment që i bën skuadrat të kuptojnë atë që po ndodh: Flamurtari është më lart se Vllaznia, e cila nga ana e saj nuk ka aspak ndërmend të dorëzohet. Megjithatë, vlonjatët janë zotër të fushës. Ahmataj dhe Sakaj, dy ‘pistonët’ e mbrojtjes kuqezi, janë vërtet të rrezikshëm në zbritjet e tyre dhe është pikërisht një nga këto inkursione që solli edhe golin e parë. Pjesa e parë e sfidës mbyllet me këtë rezultat, 1-0 për Flamurtarin që kontrollon shifrat dhe kreun në mënyrën më të mirë.

Në fraksionin e dytë Gugash Magani ndryshon strategji. I lë të tijtë të kontrollojnë topin, por paksa të tërhequr në pritje të goditjes që do ta hidhte Vllazninë “KO”. Edhe ndodh pikërisht kështu. Në minutën e 68-të, Sebino Plaku i kthen favorin Julian Ahmatajt. Elbasanasi godet fuqishëm nga jashtë zone, duke e lënë portierin mik të pafuqishëm për të reaguar. 2-0 dhe Flamurtari duket se ka futur në kasafortë rezultatin dhe 3-pikët, kjo pasi reagimi i Sinanit me shokë pas goditjes së dytë, është vërtet i vakët. Flamurtari merr kështu fitoren e dytë në këtë kampionat, përballë Vllaznisë. Në fazën e parë, vlonjatët kishin triumfuar në Shkodër 3-1, duke i shkaktuar humbjen e parë në ndeshjen e parë Josës të sapo emëruar në krye të kuqebluve. Por, që pas atij momenti, Vllaznia do të koleksiononte 9 rezultate pozitive radhazi në kampionat, duke u bërë edhe forca e tretë e kampionatit. Pas kësaj fitoreje, Flamurtari rikthen diferencën në +7 me Skënderbeun, duke krijuar edhe njëherë qetësinë e nevojshme në prag të përballjes direkte e cila do të luhet në Korçë këtë fundjavë, që do të hapte ose mbyllte përfundimisht këtë kampionat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›