E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceremonia zyrtare për Alinë, Nano dhe Meta: Vlerësojmë kontributin e tij. Marrin pjesë dhe Ruçi, Dokle e Pëllumbi

Ramiz Alia

Në ceremoninë homazh për largimin nga jeta të ish-presidentit Ramiz Alia ishin të pranishëm ish-kreu i Partisë Socialiste Fatos Nano dhe lideri i LSI-së Ilir Meta.

Ndërsa nga Partia Socialiste, jo zyrtarisht janë paraqitur kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, nënkryetari i Kuvendit Namik Dokle si dhe ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi.

Në prononcimin e tyre pas nderimit, Meta dhe Nato u shprehën se vlerësojnë kontributin e Alisë në luftën anti-fashiste.

Dua të vlerësoj figurën e zotit Alia si figure e shquar e luftës anti-fashiste dhe njëkohësit për përpjekjet e tij për të mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik. Në fund të fundit ai është presidenti i pari i Shqipërisë pluraliste, tha Meta.

Besoj se është në respekt të një epoke historike e cila ka pasur protagonistët e saj. Është e rëndësishme të shprehet respekt për kontributin për luftën anti-fashiste dhe shprehet respekt për kontributin e z. Alia, tha Nano.

Të tre këto figura të PS-së, Ruçi, Dokle dhe Pëllumbi janë paraqitur në këtë ceremoni personalisht, pasi zyrtarisht PS-ja nuk ka shprehur asnjë qëndrim dhe nuk ka nderuar largimin nga jeta të Alisë. PS bëri të ditur se çdo funksionar i saj është i lirë të marrë pjesë në ceremoninë në nderim të ish-presidentit Alia.

*  *  *

Ka nisur ceremonia zyrtare për përcjelljen për në varreza të udhëheqësit të fundit komunist në vend. Pavarësisht kontradiktave të shumta midis ish presidentit të parë pluralist me kryeministrin aktual Berisha, protokolli i shtetit e përcakton qartë zhvillimin e ceremonisë zyrtare  mortore për ish drejtuesit e lartë të shtetit. Gjithsesi vetë drejtuesit e lartë të shtetit nuk do të marrin pjesë.

Ceremonia ka nisur në orën 10:00. Trupi i ish presidentit do të vendoset në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë ku po zhvillohen homazhet nga familjarët dhe nga simpatizantët e tij. Sipas shefit të zyrës së protokollit Ermal Dredha ceremonia do të zgjasë vetëm një orë. Pas bisedave me familjarët e tij, në krah të arkivolit, do të qëndrojë i vendosur një libër ngushëllimesh ku pjesëmarrësit do të hedhin kujtimet e tyre për figurën e z. Alia.

Pas përfundimit të homazheve në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, rreth orës 11.00 është përcaktuar nisja e kortezhit drejt varrezave të Sharrës i shoqëruar vetëm nga patrulla e policisë . Duke qenë vetëm një zyrtare sipas protokollit nuk do të marrin pjesë banda, truproja e nderit  si dhe nuk do të ketë të shtëna me armë.

Kjo është hera e parë e zhvillimit të ceremonisë zyrtare për një ish president. Në protokollin e shtetit të vitit 2004 përcaktohen edhe kategoritë e ceremonive zyrtare. Ceremonitë funebre zyrtare organizohen për personalitete të cilët nuk janë të përfshirë në pikën 9.5. Shpallja e zisë përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Ceremonia e homazheve organizohet, me lejen e familjes, në institucionin përkatës, ku vendoset arkivoli dhe hapet Libri i Ngushëllimeve. Në orën e caktuar, kortezhi i përmortshëm niset drejt varrezave i eskortuar vetëm nga  patrulla policore.

Kjo ceremoni nuk përmban bandë, truprojë nderi dhe të shtëna me armë. Në varreza marrin pjesë personalitete të larta të shtetit. Pas mbajtjes së përshëndetjes së fundit, arkivoli zbret në varr. Pjesëmarrësit qëndrojnë në heshtje deri në fund dhe, pasi përshëndeten me familjen, largohen. Organizimi i ceremonisë dhe shpenzimet e funeralit përballohen nga institucioni përkatës.  Shtyrja e ceremonisë mortore për të djelën u la edhe për të pritur dy fëmijët e tij të cilët jetojnë në Francë dhe në Suedi. Familjarët shpresuan që shteti të organizonte një ceremoni shtetërore për përcjelljen e ish presidentit të parë pluralist për në varrezat e Sharrës.  Një prej mbesave të tij tregoi se  familja shpresonte në zhvillimin e ceremonisë zyrtare  për të respektuar ish presidentin e vendit. Në rast të kundërt familjarët u shprehën se do të ishin ata të cilët do të merrnin masat për organizimin e një ceremonia private duke hapur derën ku ka jetuar vitet e fundit të jetës ish presidenti Ramiz Alia.

*       *       *

Duket se Ilir Meta nuk është i vetmi politikan që ngushëlloi familjen e Ramiz Alisë për humbjen e njeriut të tyre. Në rrjetin social Facebook, ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano dhe deputeti Erjon Braçe, ngushëlluan përmes statuseve të tyre largimin nga jeta të ish-presidentit Ramiz Alia. Ndërkohë që Nano e konsideron Alinë si njeriun që solli pluralizmin paqësisht në Shqipëri, Erjon Braçe shprehet se Alia ishte një shtetas shqiptar, antifashist dhe komunist.

Ndërkohë, burime nga Partia Socialiste konfirmuan se nuk ka një ngushëllim zyrtar nga kjo forcë politike por deputetëve të saj u është lënë mundësi zgjedhje për të marrë pjesë në ceremoninë mortore apo jo, sipas dëshirës.

Mjeku: Shkaku i vdekjes së Ramiz Alisë

Arjan Mezini, mjeku i cili ka ndjekur gjendjen shëndetësore të ish-presidentit Ramiz Alia ka deklaruar dje se ai vuante nga një sëmundje e hershme në mushkëri gjë që ka sjellë dhe përkeqësim kohët e fundit. Zoti Alia është transferuar në spitalin tonë katër ditë më parë nga spitali infektiv. Pas ekzaminimeve që iu kryen u konstatua diagnoza tronboembolia pulmonare me një tronb të madhe në arterien kryesore pulmonare. Menjëherë u vendos në mjekim intensiv dhe sot (dje) si pasojë e përsëritjes së tronbit nuk patëm mundësinë për ta ndihmuar më tutje. Me sa di unë, para një jave apo dhjetë ditësh ai është shtruar në spitalin infektiv për probleme pulmonare, mungesë oksigjenimi dhe ne u thirrëm në konsultë. Në historik do referohet që vuante nga një sëmundje të themi malinje të prostatës, që mundësia më e madhe ka qenë komplikacioni i sëmundjes malinje, mpiksja e gjakut në mushkëri. Është një sëmundje e vjetër, të paktën siç referojnë edhe familjarët dhe vetë zoti Aliaj në një histori 4-5 vjeçare, tha shpreh mjeku Mezini

Heshtja e politikës

Teksa familja e Ramiz Alisë pret një ceremoni zyrtare mortore, zyrat e shtetit shqiptar kanë mbajtur një heshtje të plotë. Asnjë institucion shtetëror nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë për vdekjen e presidentit të parë të sistemit pluralist në Shqipëri. Pothuajse të gjitha mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar lajmin e vdekjes së Ramiz Alisë, ndërsa politikanët shqiptarë kanë heshtur në grup përpara një fakti të tillë, vec kreut te LSI Ilir Meta qe vuri ne dukje profilin antifashist te ish-presidentit.

Alfred Moisiu

Pas ndarjes nga jeta të Ramiz Alisë, ka reaguar edhe ish-Presidenti i republikës Alfred Moisiu duke shprehur ngushëllime familjes. Duke mos dashur të komentojë më gjatë, ish kreu i shtetit shprehet se për arsye shëndetësore nuk do të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Në këtë rast i shpreh ngushëllimet familjes. Nuk mund të marr pjesë në vdekje për arsye shëndetësore sepse tani nuk e kam më mundësinë, theksoi Moisiu. Numri një i shtetit gjatë viteve 2002-2007 ka qenë i pari që mblodhi bashkë të gjithë presidentët pas 90-ës.

Nexhmie Hoxha: Humba një shok

Sot humba një shok që kam njohur e bashkëpunuar që në vitet e luftës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›