E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremoniali ne nder te artistit Sheri Mita

Në Teatrin Kombëtar janë zhvilluar homazhe në nderim të aktorit, shkrimtarit dhe regjisorit të mirënjohur Sheri Mita i cili u nda  nga jeta në moshën 69 vjeçare. Në ceremonial morën pjesë aktorë, kolegë të afërm dhe Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, i cili i shprehu ngushëllime familjes së artistit dhe vlerësoi kontributin e tij në kinematografinë shqiptare. Ndërkohë që miqtë dhe kolegët e kujtojnë me nostalgji bashkëpunimin me të.
Sheri Mita, ka lindur ne Sarandë më 1943. Pas shkollimit të mesëm, kreu Institutin e Lartë të Arteve dega Dramaturgji në vitin 1967. Fillimisht emërohet po aty pedagog i mjeshtërisë së aktorit, por hiqet për arsye biografike. Emërohet regjisor në Kinostudio, aktor në Teatrin Popullor etj., deri sa u dërgua si regjisor në Estradën e Beratit, nga ku kthehet në Tiranë në vitin 1989 fillimisht si regjisor në Cirkun e Tiranës.
Ka dhënë kontribut të veçantë si aktor dramatik, por dhe komik. Ka luajtur role në 16 filma artistikë, si në filmat “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Yjet e netëve të gjata”, “Ballë për ballë”, “Gjeneral Gramafoni’, “Veterani”, “Në fillim të verës”, “Valixhja me një milion dollarë” etj. Ka interpretuar si aktor në teatër, si te pjesët “Shtëpia në bulevard”, “Fytyra e dytë”, ‘Arturo Ui”, ‘I pazëvendësueshmi” etj.
Si regjisor, përveç dhjetëra numrash estrade, ka vënë në skenë në Teatrin Popullor, në Fier, Berat, Korçë etj. disa drama e komedi.
Si krijues letrar, ka shkruar gjashtë drama e komedi. Katër prej tyre: dramat “Vite të paharruara” dhe “Dy krisma në Paris” dhe komeditë “Këshilli i ndrikullave” dhe “Familja e madhe” kanë fituar çmime në konkurset kombëtare të dramaturgjisë dhe Festivalet Kombëtare të Teatrove. Në vitin 2004 u nderua me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›