E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cërrik, Berisha: Ramës i ka mbetur ora tek etërit e tij

CERRIK- Partia Demokratike çeli sot fushatën elektorale në Cërrik, ‘fushatën e fitores’ siç e quajti atë kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë premtoi se do punojë për më shumë për punësim, për rritjen e rrogave, pensioneve e mirëqenies.

“Ne ulëm taksat, ulëm tatimin mbi fitimin me 150 % tatimin mbi të ardhurat personale 130%, taksën e biznesit të vogël e përgjysmuam, sigurimet shëndetësore me 50%. 4 vitet që shkuan me këtë politikë Shqipëria pati 360% investime më shumë se 4 vitet e tjera. Ne morëm 4,2 miliardë dollarë investime të huaja, vazhduam garantimin e rritjes ekonomike”, tha ai.

Duke u ndalur tek ndërtimi i autostradës Tiranë Elbasan, Berisha tha se tashmë Cërriku afrohet me Tiranën si një lagje e saj.“Autostrada Tiranë- Elbasan hap perspektivën e madhe të parkut industrial të qytetit të Elbasanit”, tha ai më tej.

Kryeministri, nga Cërriku ka ftuar kryesocialistin Rama të sqarojë arsyet e tentativës për të bllokuar marrëveshjen e asocim-stabilizimit, të liberalizimit të vizave dhe bllokimin e statusit, si dhe përpjekjen për të bllokuar buxhetin për autostradën Tiranë-Elbasan.

Sipas Berishës, Rama ndjek rrugën e etërve të tij, ndërsa shtoi se përsëri ai është në koalicion me partinë e djalit të Enver Hoxhës.

“Shoku i autobusit paraqet para jush një alternativë qesharake, sulmon me mashtrim taksën e sheshtë, që është taksa e librave të shenjtë, me e ndershme, taksë me të cilën ai që merr më pak paguan më pak, ai që merr më shumë paguan më shumë. Ai gënjen, për taksën e etërve të tij, trillon cdo ditë për ta vendosur atë, taksën me të cilën rrënon ekonominë. Rama beson se sot njerëzit e lirë mund të mashtrohen, indoktrinohen si 40 vjet më parë, ora jonë e lirisë nuk ndalet kurrë, atij i ka mbetur tek etërit e tij”, vijoi Berisha.

IMAMI: MË SHUMË INVESTIME DHE PUNËSIM GJATË 4 VITEVE TË ARDHSHME
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili kryeson listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, premtoi sot nga Cërriku më shumë investime dhe punësim gjatë katër viteve të ardhshme.
"Gjatë këtyre 8 viteve ne kemi bërë shumë për Çërrikun, Elbasanin, Shqipërinë, ne vendosëm standardin e punës, ndaj vijmë këtu sot ballëhapur para jush se kemi investuar, punuar, do të investojmë e punojmë më shumë 4 vitet e ardhshme", tha Imami në mitingun elektoral në Cërrik, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të PD.
Imami bëri të ditur gjithashtu se pas pak ditësh do të përurohet dhe rruga Elbasan-Tiranë, një nga veprat më të shkëlqyera publike, sipas tij, që lidh këtë zonë me jug dhe juglindjen e vendit. "Pas disa ditësh do të inagurojmë rrugën Elbasan-Tiranë, vepra më e madhe e këtij mandati, një vepër e shkëlqyer publike, e cila shumë shpejt do të jetë rruga që lidh jugun e juglindjen e vendit me Elbasanin e Tiranën", theksoi Imami.
Imami vuri në dukje investimet e bëra gjatë viteve të qeverisjes së PD në infrastrukturë, arsim e shëndetësi, siguri e bujqësi, në çdo fushë të jetës, duke theksuar se "kjo bën të mundur që fëmijët e Cërrikut, Elbasanit, Shqipërisë të jetojnë shumë më mirë, të jetojnë në një vend shumë më të begatë sesa ai që gjetëm".
Në fjalën e tij, Imami sulmoi dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili, sipas tij, bllokoi për vite me radhë statusin e vendit kandidat të integrimit në Bashkimin Evropian. "Rama bllokoi për vite me radhë statusin e vendit kandidat të integrimit në Bashkimin Evropian, ndaj sot u fshihet qytetarëve shqiptarë", tha Imami.
Më tej, ai solli në vëmendje se Rama mbajti peng tre ligjet për 236 ditë me radhë, duke u shkaktuar shqiptarëve një dëm të madh. "Shqipëria e fitoi statusin kandidat vitin e kaluar. BE, ndryshe nga Rama, na e aprovoi statusin dhe bëri gati të lëvronte qindra mijëra euro, por Edi Rama i tha jo integrimit dhe zhvillimit, mirëqënies së familjeve tuaja. Tashmë të gjithë e dinë dëmin që bëri, ndaj ai struket në autobusin mavi, sepse nuk mund të ballafaqohet me ju", iu drejtua Imami qytetarëve të Cërrikut.
Imami solli në vëmendje gjithashtu se në kohën kur ishte kryetar i Bashksië së Tiranës, Rama vetëm i rriti taksat, si të gjelbërimit, pastrimit, tabelës dhe reklamës. "Kur qeveria shqiptare mori masa për të ndaluar rritjen e taksave për biznesin e vogël, ai protestoi kundër uljen së taksave, sepse Rama di vetëm një gjë të bëjë mirë; të votojë kundër çdo nisme, çdo investimi, çdo reforme që përmirëson jetën e qytetarëve shqiptarë, ndaj fshihet duke folur për origjinën, gjeografinë, por asnjëherë për problemet tuaja", u shpreh Imami
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›