E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cërriku dhe hakmarrja e ulët e Berishës

Fatos Mahmutaj

Lirimi i tre të akuzuarve si anëtarë të Bandës së Cërrikut të jep idenë që segmente të caktuara të drejtësisë në Shqipëri kanë ruajtur integritetin dhe profesionalizmin, që në fakt duhet ta ketë gjithë sistemi. Mehmet Bozi, i cilësuar si kreu i bandës famëkeqe të Cërrikut kishte marrë nga drejtësia dënim të përjetshëm, ndërsa prej dy ditësh është i lirë. Po kështu edhe dy të bashkëpandehur me të: Llazar Bicja dhe Skënder Cani. Krimet e Rënda në Tiranë i dënuan respektivisht më burgim të përjetshëm, 22 dhe 21 vite burg, pasi i gjetën fajtorë për vrasjen e 6 gardistëve në vitin e mbrapshtë 1997. E parë në këtë prizëm, vendimi i Apelit mund të konsiderohet i tillë për të vënë duart në kokë, por në fakt gjërat janë krejt ndryshe. Që në krye të herës dua të sqaroj se nuk kam ndërmend të mbroj askënd, por e shoh të arsyeshme, që të sqaroj atë të vërtetë që unë di për këtë ngjarje, çka e kam mësuar nga puna si gazetar në qarkun e Elbasanit dhe më pas si reporter i gjyqësorit për shumë vite në Tiranë. Në maj të vitit 1997 shteti shqiptar i drejtuar nga Sali Berisha kishte degraduar deri në limitin më të ulët të tij. Institucionet kishin pushuar së funksionuari prej rreth tre muajsh, ndërsa drejtuesit e tyre, përfshi edhe Berishën, ish-Presidentin e atëhershëm kishin mbledhur rreth vetes grupe të fortësh, në rastin më të keq kriminelë të rëndomtë, të cilët i kishin punësuar si grupe të sigurisë personale. I tillë ishte edhe grupi që Berisha dërgoi në Cërrik. Militantë të sëmurë të PD-së rrëmbyen mjetet e Gardës së Republikës dhe u nisën për të vendosur ligjin në qytetin e vogël të Cërrikut. (Me demek aty kishte mbetur mosfunksionimi i shtetit, pasi qytetet e tjera më të mëdha përfshi edhe kryeqytetin dihet sesi ishin katandisur). Vlen të përmendet këtu, se Garda ishte shkrehur totalisht pasi ushtarët e mobilizuar në më të shumtën e rasteve me forcë ia kishin mbathur prej muajsh.
Kolona e gardistëve iu drejtua qytetit të Cërrikut ende pa ardhur mëngjesi, më 23 maji 1997. Ata i hynë qytetit nga disa drejtime te ndryshme, dhe sapo prekën zonën e banuar nisën masakrën duke qëlluar me armë nga të gjitha anët, duke rrahur dhe terrorizuar banorët, si dhe duke shoqëruar dhunshëm disa prej tyre në rajonin e policisë, i cili për hir të së vërtetës ishte shkatërruar. Të ndodhur përballë kësaj situate banorët u vetorganizuan dhe brenda pak minutash kundërsulmuan duke vrarë gjashtë prej viktimave të Berishës. Gjithçka ka ndodhur përpara syve të qindra banorëve të Cërrikut, por Berisha duke përdorur hakmarrjen e ulët, çka e bëri disa herë pas rikthimit në pushtet, arrestoi mes të tjerëve edhe eksponentë lokalë të Partisë Socialiste. Të tillë janë edhe të liruarit nga Apeli, që në fakt duhet të ishin liruar që para 5 vitesh kur u arrestuan me bujë nga policët-militantë. Edhe me gjithë manipulimet e shumta dhe presionet e bëra nuk u arrit që ata të mbaheshin në burg.
Tashmë hakmarrja e Berishës është drejtuar te Apeli i Krimeve të Rënda. Veglat qorre të tij deklaruan kontrollin në këtë gjykatë. E sigurt që nga kontrolli do dalë e vërteta siç është, po pastaj çfarë do i mbetet Berishës për të përdorur si pretekst për sulmin e radhës?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›