E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademik Rexhep Ismajli – një figurë madhore e shkencës dhe e dijeve

07-06-2012 / Nga Ak.Hivzi Islami

Në 65-vjetorin e lindjes

Të flasësh e të shkruash për jetën dhe veprën e akademik Rexhep Ismajlit nuk është detyrë fort e lehtë, anipse unë e kisha kaluar një gjysmë shekulli të jetës me të, që nga fillimi i viteve të 60-ta të shekullit të kaluar, nga ditët e gjimnazit në Preshevë e deri më sot, ku na lidhnin puna, idetë, pikëpamjet dhe preokupimi i vazhdueshëm për çështjen tonë kaq komplekse. Në këto raste nuk është e mundur të përfshihet gjithë opusi shkencor e krijues shumëdimensional dhe rruga e bujshme jetësore e akademik Rexhep Ismajlit si njeri dhe intelektual, ku rezultatet shkencore dhe vizionet e tij i kanë kaluar tashmë kufijtë kombëtarë e ballkanikë dhe janë bërë pjesë e Evropës bashkëkohore. Si një ndër figurat më të shquara në fushën e gjuhësisë, të albanistikës, të dijes dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, për veprën e tij vlerësime të plota e të gjithanshme mund të japin vetëm dijetarët specialistë.
I lindur në Preshevë para 65 vjetëve (më 6. 06. 1947), ku mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm shkollën fillore dhe gjimnazin, akademik Ismajli në vitin 1967 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, ku u diplomua gjithashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Menjëherë i vazhdoi studimet specialistike në gjuhësinë e përgjithshme në Paris, te André Martinet, botërisht i njohur si linguist. Në vitin 1972 u pranua asistent në Fakultetin Filozofik, në Degën e Albanologjisë, për t’u avancuar shumë shpejt në titull ligjëruesi, duke i dhënë Degës impuls të ri për një zhvillim cilësor, veçanërisht në teoritë bashkëkohore gjuhësore evropiane dhe botërore. Me temën “Gjuha shqipe e Kuvendit të Arbënit, 1705”, që e mbrojti me sukses në vitin 1982, mori gradën e doktorit të shkencave filologjike në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Pas mbrojtjes së doktoratës zgjidhet docent, profesor inordinar dhe pastaj profesor ordinar në lëndët Gjuhësia e përgjithshme dhe Historia e gjuhës shqipe.
Për rezultatet shkencore, veçanërisht në fushën e albanologjisë, akademik Ismajli në vitin 1993 zgjidhet anëtar korrespodent, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku ushtroi detyra udhëheqëse me shumë përgjegjësi: sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, sekretar i përgjithshëm dhe dy mandate rresht kryetar i Akademisë. Ishte pa dyshim kryetari më i suksesshëm i Akademisë, të cilën e hapi aq shumë ndaj botës akademike dhe shkencore në Evropë dhe jashtë saj sa që ky institucion nuk po ka kapacitete të mjaftueshme ta mbulojë bashkëpunimin. Në vitin 1974 ishte një nga themeluesit e Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare dhe sekretar i parë, ndërsa më vonë u zgjodh dhe drejtor i tij. Kishte hartuar edhe tekstin e parë të gjuhës shqipe për të huaj. Ka kohë që mban mësim në studimet pasuniversitare dhe ka udhëhequr dhe drejton shumë kandidatë si në studimet e magjistraturës, ashtu edhe në ato të doktoratës. Për disa vjet i drejtoi studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik. Është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjuhësisë Funksionale, pastaj i PEN Qendrës Shqiptare, i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Themeloi dhe vite me radhë drejtoi disa revista shkencore dhe profesionale. Sot drejton revistën “Studime” të ASHAK-ut dhe nën mbikqyrjen e tij dalin të gjitha botimet e Akademisë. Është njëri nga themeluesit e bibliotekës “Fryma” të shtëpisë botuese “Dukagjini”, ku deri tani janë botuar më se 70 vepra fushash të ndryshme të dijeve humane, si dhe të serisë “Balkan Books” në gjuhë të huaja të kësaj shtëpie. Pa Rexhepin, në cilësi të kryeredaktorit, nuk do të dilte në vitin 2012 as botimi monografik “Kosova” i ASHAK-ut, një vepër monumentale për Kosovën dhe kulturën shqiptare. Një pjesë të mirë të energjisë prof. Rexhepi e shpenzoi në ngritjen dhe pavarësimin e institucioneve të larta arsimore, kulturore e shkencore të Kosovës, si dhe në organizimin e tubimeve shkencore dhe profesionale. E fundit të cilën e organizoi ishte Konferenca shkencore, më e madhja deri tash në suaza të Akademisë dhe në qarqet albanologjike në Prishtinë dhe në Tiranë, “Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit” (qershor 2012), materialet e së cilës në redaktimin e tij sapo dolën nga shtypi. Në këtë Konferencë prof. Rexhepi i solli në Prishtinë shkencëtarët më eminentë të studimeve ballkanologjike dhe albanologjike nga SHBA, Gjermania, Franca, Polonia, Rusia, Rumania, Italia, Bullgaria, Shqipëria etj.
I ngritur në një figurë poliedrike, akademik Rexhep Ismajli i flet dhe i shkruan disa gjuhë të huaja: anglisht, frengjisht, gjermanisht, rumanisht, italisht, shumë gjuhë sllave, ndërsa përkthen edhe nga disa gjuhë të tjera. Në saje të përgatitjes profesionale e shkencore dhe të njohjes së gjuhëve ka mbajtur ligjërata në tema të ndryshme nga albanologjia, ballkanologjia dhe nga gjuhësia e përgjithshme dhe krahasimtare në të gjitha metropolat evropiane. Disa vjet mbajti dhe organizoi mësimet nga albanologjia dhe ballkanologjia në Universitetin e Lubjanës, ndërsa në vitin 1999 u zgjodh profesor për tre vjet në Universitetin e Mynihut në Gjermani. Ishte ftuar profesor mysafir edhe në Universitetin e Karolinës Veriore në SHBA për të mbajtur mësim një vit shkollor, si dhe në Universitetin e Ohajos, poashtu në SHBA, për të mbajtur ligjërata në Institutin Veror të Gjuhësisë, por, për shkaqe politike në vend, ishte penguar të shkonte. Ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë korrespondenca dhe kontakte të drejtpërdrejta me linguistët dhe albanologët më të mëdhenj të shekullit 20 nga Evropa dhe Amerika: me Andre Martinenë nga Parisi, Eric Hempin nga Çikagoja, Eqrem Çabejnë dhe Selman Rizën nga Tirana, Viktor Fridmanin nga Karolina Veriore, Nju Markun nga San Diego, Vacllav Cimohovskin nga Praga, Norbert Boreckin nga Bohumi, Vilfrid Fidlerin nga Meisseni (Gjermania), Irena Savickën nga Poznanji, Aleksandar Rusakovin nga Shën Peterburgu e shumë të tjerë. Në procesin e emancipimit kulturor, shoqëror dhe politik të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, angazhimi i Rexhep Ismajlit nuk mungoi kurrë, por u shqua me guxim intelektual dhe qytetar për të thënë atë që e mendonte. Që nga demonstratat studentore të vitit 1968, ku ishte pjesëmarrës aktiv, nuk pushoi të angazhohej në çështjet me rëndësi vendimtare për kombin dhe atdheun. Disa vjet ishte anëtar i udhëheqjes më të ngushtë të partisë më të madhe të shqiptarëve të Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë, e cila një dekadë të tërë i diktoi rrjedhat politike të shqiptarëve. Me vizionet e intelektualit të mirëfilltë ishte bashkëhartues ose kryehartues i shumë dokumenteve politike për Kosovën dhe trojet e tjera etnike këto vitet e fundit të luftës së shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Me dinjitet dhe superioritet prezantonte dhe prezanton shkencën, institucionet shkencore dhe problemet e ndryshme të çështjes shqiptare në kontakte me të huajt. Edhe sot çmohet dhe respektohet shumë mendimi i tij në qarqet akademike, shkencore dhe te diplomatët e huaj. Prandaj, nuk ishte gjë e rastit që në procesin e ndjekjes dhe të diferencimit të intelektualëve shqiptarë, deri te izolimi famëkeq, Rexhepi gjendej ndër të parët, por kurrë nuk u përkul para ndjekësve dhe diferencuesve, sikundër që kurrë nuk u krekos se i përjetoi këto procese.
Që në vitet e para të studimeve, madje edhe më herët, si nxënës i gjimnazit në Preshevë, vërehej talenti krijues i Rexhepit. Qysh atëherë nisi të përkthejë, së pari poezi nga autorët e huaj, si Zhak Prever, Alen Boske, Mihail Eminesku etj. dhe të shkruajë artikuj shkencorë në revistat tona, ku rrahte probleme të ndryshme të gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare. Duke qenë i talentuar dhe student i shkëlqyeshëm, ai themeloi dhe drejtoi revistën shkencore të studentëve “Dituria”. Në fillim të viteve të 70-ta, menjëherë pas mbarimit të studimeve, do t’i thyejë klishetë e procedeve klasike në studimin e shumë çështjeve të gjuhësisë shqiptare, duke e futur edhe metodën e strukturalizmit në gjuhësi. Studimi i strukturalizmit të linguistit të njohur zvicëran Ferdinand dë Sosyr, të gjuhësisë funksionale të Andre Martinesë dhe përvetësimi i metodologjisë kërkimore të shkollave të reja, ndikoi fuqishëm në formësimin e tij si linguist. Veprat e tyre të njohura edhe i përktheu nga frengjishtja në shqip: “Elementet e gjuhësisë së përgjithshme” të Martinesë më 1974 dhe “Kursin e gjuhësisë së përgjithshme” të Sosyrit më 1977, të cilat u përdorën dhe ende përdoren si nga studentët e albanologjisë, ashtu edhe nga studiuesit e gjuhës.
Veprimtaria shkencore e akademik Rexhep Ismajlit ka një diapazon shumë të gjerë: gjuhësi dhe histori e saj, letërsi, histori e mendimit gjuhësor shqiptar, sociolinguistikë, teori e gjuhës, gjuhësi e tekstit, shumësi e tekstit, gjuhë letrare etj. Problemet gjuhësore i vështron gjithnjë në kontekste të gjera historike, etnokulturore, sociopolitike, gjeografike etj. Konsiderohet si njohës më i mirë i teorive të gjuhës, i historisë së gjuhës sonë, i teksteve të vjetra shqipe dhe i letërsisë arbëreshe. Po i zëmë në gojë, me këtë rast, vetëm këto vepra të Ismajlit: “Shenjë dhe ide” (1974), “Teksti i gjuhës shqipe për të huaj” (1974), “Shumësia e tekstit” (1977), “Rrënjë e fortë” (1978), “Gramatika e parë e gjuhës shqipe” (1982), “Studimi i teksteve të vjetra” (1984), “Gjuha shqipe e Kuvendit të Arbënit (1706)” (1985), ”Pjetër Budi, poezi 1618-22” (1986), “Artikuj mbi gjuhën shqipe” (1987), Poezi e sotme arbëreshe” (1990), “Kosova and the Albanians in former Yugoslavia” (1993), “Etni e modernitet” (1994), “Në gjuhë dhe për gjuhë” (1998), “Tekste të vjetra” (2000), “Standarde dhe identitete” (2003), “Gjuhë standarde dhe histori identitetesh” (2005), “Drejtshkrimet e shqipes” (2005), ”Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës” (2009) etj. Ka botuar edhe qindra artikuj e kontribute në revista dhe organe të ndryshme shkencore në hapësirën shqiptare dhe në botën e jashtme. Studimet e akademik Rexhep Ismajlit janë bërë tashmë studim reference për shumë çështje që lidhen me gjuhësinë shqiptare dhe historinë e saj. Përveç kësaj, ka përgatitur për shtyp tekstet e autorëve më të rëndësishëm të gjuhësisë, të letërsisë, të shkencës e të kulturës shqiptare, si të S. Rizës, I. Ajetit,  P. Bogdanit, P. Budit, B. Bokshit, G. Zajmit, V. Cimohovskit, H. Pedersenit, F. Aganit, E. Hempit, E. Çabejt, G. Bobit, F.  Mikloshiçit, N. Joklit etj.
Qoftë përmes ligjëratave në Universitet dhe studimeve e shkrimeve të shumta, qoftë përmes përkthimeve të veprave bazë të linguistëve të mëdhenj, si metodist i mirë, njohuritë e fituara i barti me sukses te të tjerët në gjithë hapësirën shqiptare dhe jashtë saj.
Kur Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës shënoi pranimin e akademik Rexhep Ismajlit anëtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve Evropiane me seli në Vjenë/Salzburg, në vitin 2002, akademik Idriz Ajeti, doajen i albanologjisë, në fjalën e tij të rastit që e mbajti tha se pranimi i Rexhep Ismajlit anëtar i kësaj akademie  s’është gjë e rastit, as punë shorti, por meritë e punës së tij shkencore në përmasa të gjera.
Qetësia, toleranca, modestia, afërsia me njerëz, shembëllesa e mirësisë, dorëdhënia e bujaria, humanizmi i vërtetë, gadishmëria që, me idetë dhe njohuritë e thella për probleme të ndryshme, në çdo kohë dhe në çdo vend, t’i ndihmojë të tjerët dhe të flijohet për të tjerët – janë virtyte të larta njerëzore që e karakterizojnë personalitetin e Rexhep Ismajlit.
Në vargun e shumë ngjarjeve, nga biografia dhe veprimtaria e tij, profesor Rexhepi sigurisht nuk do ta harrojë pranimin në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve Evropiane, ku ftohet së paku dy herë në vit. Pas kthimit nga Salcburgu, në pyetjen e gazetarëve dhe dashamirëve të kulturës, ai deklaroi se pranimi në këtë Akademi është nder, por edhe obligim i madh. Mirëpo, pranimi i Rexhepit në këtë akademi, i dyti pas akademikut të ndjerë Gazmend Zajmi, është nder dhe krenari jo vetëm për të, por edhe për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe për të gjitha institucionet shkencore e kulturoree dhe për kombin shqiptar kudo që shtrihet. Pa këtë figurë madhore dhe të gjithanshme, nuk ka dyshim se shkenca dhe kultura shqiptare do të ishin më të varfura.
Akademik Rexhep Ismajlin e përgëzojmë dhe jemi mirënjohës për gjithë atë që ka bërë në sferën e shkencës, të arsimit, të kulturës, të emancipimit dhe të zhvillimit të gjithanshëm të kombit shqiptar dhe të afirmimit të vlerave kombëtare në suaza evropiane dhe botërore. I urojmë suksese të reja në punën shkencore-hulumtuese, shëndet të mirë dhe jetë të gjatë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›