Certifikohen 41 juristë me Provim të Jurisprudencës

Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, sot janë certifikuar 41 kandidatë të cilët e kanë dhënë provimin e jurisprudencës në afatin e marsit 2013.
Në këtë ceremoni, në të cilën mori pjesë edhe ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson e zyrtarë dhe mysafirë të tjerë, u tha se provimi i jurisprudencës është shumë i rëndësishëm për sistemin juridik të Kosovës.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se kandidatët që kanë kaluar provimin e jurisprudencës do të kenë më shumë peshë dhe përgjegjësi, pasi në një të ardhme të afërm do të mund të jenë udhëheqës të strukturave të drejtësisë.
“Gjyqësori dhe Prokuroria kanë nevojë për shumë gjyqtarë profesionalë, por edhe të durueshëm, të dijshëm, të rinj, por edhe të matur. Kjo sidomos tani që si ministër i Drejtësisë kam marr iniciativën që të ulen kriteret jashtëzakonisht të ashpra për pranimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pozitat e tyre. Këtë do ta bëjmë pikërisht për t’ju dhënë një mundësi juve dhe shumë të tjerëve si juristë të rinj, apo edhe juristët që deri tani kanë punuar në fusha të ndryshme”, tha Kuçi.
Ambasadorja Jakobson tha se kandidatët që kanë kaluar provimin e jurisprudencës marrin përgjegjësi shtesë ndaj shoqërisë, pasi që do të përfaqësojnë shoqërinë në rolin e gjyqtarit apo prokurorit. Sipas saj, kandidatët do të kontribuojnë në respektimin e kushtetutës e të ligjeve, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit.
Udhëheqësi i Divizionit Ekzekutiv në EULEX, Mats Mettsson theksoi rëndësinë e punës së këtyre kandidatëve në të ardhmen për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.
Për rëndësinë e Provimit të Jurisprudencës, si hap i parë për inkuadrim në sistemin e drejtësisë, folën edhe kryetari i Gjykatës Supreme, njëherësh kryetar i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës, Fejzullah Hasani, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci dhe kryeprokurori Ismet Kabashi./Indeksonline/