Certifikohet lista e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë

PRISHTINË, 6 shtator /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka certifikuar sot listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Të drejtë vote për t’i zgjedhur kryetarët e 38 komunave do të kenë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, rreth 44 mijë janë votues nga jashtë shtetit.
Votuesit jashtë shtetit do të mund të votojnë me postë prej 17 shtatorit.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të KQZ-së ku janë shqyrtuar e miratuar rekomandimet për caktimin e këshillave të vendvotimeve, ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, numri maksimal i votuesve, numri i vendvotimeve në qendrat e votimit me kusht, certifikimi i listës së votuesve, numri i fletëvotimeve dhe broshurave që do të shtypen për zgjedhjet lokale.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së Arianit Elshani ka treguar numrin e vendvotimeve dhe qendrave të votimit më 12 tetor.
Elshani po ashtu ka bërë të ditur numrin e votuesve me të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit për zgjedhjet lokale, si dhe të atyre që do të votojnë për herë të parë pasi të kenë mbushur 18-vjeç.
Ndërsa, kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi tha se qytetarët duhet të verifikojnë përmes platformës së KQZ-së qendrën se ku ata do të votojnë më 12 tetor. /KosovaPress/