Çështja “Xibraka”, Rama: Bardhi në SPAK për kallëzim të rremë

TIRANË, 16 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se rihapja e hetimeve për çështjen “Xibraka” ishte lajmi më i mirë që mund të merrte dhe tani i takon SPAK të zbardhë të vërtetën.
Në një intervistë televizive, Rama foli për kallëzimin e bërë në SPAK nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, lidhur me rihapjen e hetimeve për dosjen “Xibraka”.
Rama u shpreh se tashmë është në dorën e drejtësisë që duhet të vërtetojë nëse vëllai i tij është trafikant kokaine, apo Bardhi ka gënjyer.
“Rihapja e hetimeve ishte lajmi më i mirë që mund të merrja. Tani, ka dhe një detaj të vogël që duhet të konfirmohet kallëzimi, shumë e rëndësishme dhe pastaj të rikonfirmohet kallëzimi. Ndërkohë ky zotnia, çingia është i kallëzuar për kallëzim të rremë. Janë dy aty në SPAK, është kjo është dhe kallëzimi për të për kallëzim të rremë”, tha Rama.
“Unë jam i lumtur që gjëja tani është futur në rrugën e drejtësisë, të SPAK. SPAK të na thotë ose unë kam një trafikant kokaine në familje, ose kësaj gojës së madhe e B-së së vogël i duhet vënë proteza nga drejtësia. Një nga të dyja, nuk mund të ketë dhe kështu dhe ashtu. O njëri, o tjetri duhet të përgjigjet para drejtësisë”, tha ai.