Champions, Bazeli i shqiptarëve kundër Sherifit

Ish-kampioni i Europës, Ajaksi i Amsterdamit, shpreson të arrijë në fazën e grupeve për herë të parë pas pesë vjetësh, por më parë i duhet të përballojë një sfidant të vështirë si Dinamo e Kievit.
Shorti i Ligës së Kampioneve i hedhur në Nion gjithashtu çiftoi gjermanët e Verder Bremenit me italianët e Sampdorias, ndërkohë që anglezët e Totenhemit me zviceranët e Jang Bojsit, që nga ana e tyre eliminuan Fenerbahçen.
Ajaksi, që mungon në fazën e grupeve qysh nga edicioni 2005-2006, do të udhëtojë në Ukrainë për ndeshjen e parë, më 17 ose 18 gusht.
Sulmi i Dinamos përveç të tjerëve formohet edhe nga ish-sulmuesi i Milanit dhe i Çelsit, Andrij Shevçenko, golashënuesi i tretë më i mirë në kompeticion me 58 gola.
Ukrainasit eliminuan në mënyrë komode Gentin me rezultatin e përgjithshëm 6-1 në raundin e tretë, ndërkohë që Ajaksi mposhti Paokun e Selanikut me më shumë gola në fushën kundërshtar pasi rezultati i përgjithshëm përfundoi në barazim 4-4.
Sampdoria shpreson të kualifikohet për herë të parë në Ligën e Kampioneve. Formacioni i Serisë A ka mbërritur në finalen e ish-Kupës së Kampioneve në sezonin e saj të fundit, 1991-1992, kur ajo humbi me Barcelonën në të vetmen paraqitje të tyre në top-kompeticionin europian të klubeve.
As Jang Bojs dhe as Totenhemi nuk kanë luajtur në fazën e grupeve, duke marrë për herë të fundit në kompeticionin më të lavdishëm europian 48 vjet më parë.
Në këtë fazë të Ligës së Kampioneve do të luajnë edhe Braga kundër Seviljes dhe Zenit Saint Petërsburgut kundër Oskerit.
Sherif Tiraspol, skuadra moldave që eliminoi në turin e dytë Dinamon tonë, do të përballet me Bazelin e Zvicrës, ku luan edhe supertalenti shqiptar, 17-vjeçari Granit Xhaka (2 ndeshje, 5 minuta në total, 1 gol), por dhe Beg Ferati e Xherdan Shaqiri (2 ndeshje, 1 gol).
Kampionia e Çekisë, Sparta e Pragës, do të përballet me fqinjën e saj nga Sllovakia, Zilinna, dhe Rozenborgu do të takojë Kopenhagenin, në një ndeshje të gjithë skandinave.
Kampionia e Serbisë, Partizani, do të sfidojë Anderlhehtin e Belgjikës, në stafin e të cilit ndodhet si ndihmëstrajner ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Besnik Hasi.
Dhjetë fituesit do të bashkohen me 22 ekipet që janë kualifikuar direkt për në fazën e grupeve.
Ndeshjet e para do të luhen në datat 17-18 gusht ndërsa ato të kthimit vetëm pas një jave, 24-25 gusht.
LIGA E KAMPIONEVE
Verder Bremen – Sampdoria
Dinamo Kiev – Ajaks
Salcburg – Hapoel Tel Aviv
Rozenborg – Kopenhagen
Bazel – Sherif Tiraspol
Sparta e Pragës – Zilina
Partizan i Beogradit – Anderleht
Jang Bojs – Totenhem
Braga – Sevilja
Zenit – Okser
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Premte, 06 Gusht 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili