E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions League Bajern mund 4-0 Barcelonen ne Mynih

Sinjalin e dha që në fillim dhe fitoren e pati dërrmuese. Bajerni i Mynihut mundi Barcelonën 4-0 në Mynih, në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, duke hedhur një hap të sigurt drejt finales. Diferenca mes skuadrave ishte tepër e madhe, përtej gabimeve të gjyqtarit Kasai dhe ndonjë përpjekjeje të vaktë të miqve. Skuadra e Jup Hajnkesit shënoi shpejt me anë të Tomas Mylerit. Në pjesën e parë nuk pati aq shumë, ndërsa Mesi thuajse shënoi nga asgjëja, por ishte vendimtar Dante. Gjermanët kishin arsye të ankoheshin për gjyqtarin që vendosi të mos sinjalizonte për asnjë penallti çfarëdo që të ndodhte në zonën katalanase. Në pjesën e dytë erdhi përmbytja. Gomez shënoi shumë shpejt. Goli ishte në pozicion jashtë loje, por u quajt i vlefshëm. Më pas, Riberi dhe Roben patën mundësi të shënonin golin e tretë. Barcelona u zgjua shumë vonë. Vetëm rreth 20 minuta para fundit, Bartra pati shansin e parë të pastër për gol, që e humbi. Menjëherë më pas erdhi ndëshkimi i tretë bavarez. Këtë herë nga Roben. Por, ishte sërish një gol i parregullt. Më tej, Bartra humbi porsi një mbrojtës një tjetër mundësi të madhe për gol dhe Bajerni nuk mund të ndalej më. Tomas Myler vrapoi 13 kilometra, iu afrua golit, ndalur nga Valdes dhe më pas e realizoi më në fund të dytin personal. Bajerni mund të quhet që tani në finale.

Pati shumë polemika pas fitores së Bajernit. Penallti e padhënë e gola të parregullt Për Bajernin ishte një kulm, por e kundërta mund të thuhet për gjyqtarin hungarez Viktor Kasai. Pati shumë vendime të gabuara si dhe të diskutueshëm në këtë fitore 4-0 në “Alianc Arena”. Një shtyrje e tillë në zonë ndoshta mund të mos jepet 11-metërsh, duket e tepërt, por një prekje e pastër me dorë si kjo e Gerard Pikesë nuk duhej të kishte vendim tjetër. Por, penallti nuk pati, madje as për prekjen tjetër me dorë në zonë të Dani Alveshit, që nuk ishte aq flagrante sa e para. Më parë kishte ardhur goli i parë i Bajernit, shënuar nga Myler dhe shërbyer nga Dante për të cilin katalanasit protestuan, besohet pa shumë të drejtë. Në pjesën e dytë, dy gabimet ishin të rëndë. Fillimisht goli i dytë i Bajernit, ai i Gomezit që i hapi rrugën fitores së thellë. Ishte në pozicion jashtë loje. Më tej, goli i tretë i Robenit, ndihmuar nga ndërhyrja e gabuar e qartë e Mylerit ndaj Zhordi Albës. Secila skuadër, pra, ka mundësi të ankohet, por llogaria e fundit thotë se fitorja bavareze ishte plotësisht e merituar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›