Champions League, fituesit në shah

Champions League në shah, që për një javë u zhvillua në Durrës, ka ulur siparin të shtunën në mbrëmje në ceremoninë, e cila u zhvillua në Pallatin e Brigadave dhe që erdhi drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Që nga presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, tek presidenti i Federatës Europiane të Shahut, Zurah Azmaiparashvili kanë përshëndetur garuesit. Por nuk kanë munguar as përshëndetjet e presidentit të nderit të Federatës Shqiptare të Shahut, Eduard Shalsi, dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Më pas është bërë dhe shpërndarja e medaljeve fillimisht sipas tavolinave. Kështu për meshkuj që nga tavolina e parë deri në të gjashtën medalistë të artë ishin Manjus Karlsen, Haik Martirosian, Jakov Silvan, Tom Piseu, David Anton Guljarno dhe Ediz Gurel. Për femra nga tavolina e parë deri në të katërten të arta ishin Bela Kotenashvili, Ana Muzishuk, Natalia Buksa, Teja Vidiç.
E në fund dhe kupat për skuadrat fituese, të cilat ishin Oferspil për meshkuj dhe Superçes për femra. Kjo ishte Champions League në shah, që i lë radhën aktiviteteve të tjera ndërkombëtare në Shqipëri në katrorët bardhezi.