Champions League luhen sonte cerekfinalet e tjera

Bajern dhe Barcelona janë favoritët për gjysmëfinalet në Ligën e Kampionëve, por biletën duhet ta marrin vetëm sonte.
Në orën 20:45, bavarezët luajnë në fushën e Juventusit dhe katalanasit presin Paris SG në “Kamp Nou”.
Gjermanët kanë fituar të parën 2-0 dhe Barça ka barazuar 2-2 në Francë.
Në stadiumin “Juventus”, italianët do të luajnë shanset e fundit dhe do të synojnë mrekullinë. Trajneri Konte rrezikon duke luajtur me 3 mbrojtës dhe me 5 mesfushë. Pogba është në vend të Vidalit të pezulluar.
Trajneri italian kërkon të shohë Juventusin e vërtetë.
Gjermanët vijnë si kampionë të Gjermanisë dhe trajneri Hajnkes kërkon përqëndrim pasi, sipas tij, ky Juventus e kthen të pamundurën në të mundur.
Në “Kamp Nou”, dilema e madhe është nëse do të luajë apo jo Lionel Mesi. Argjentinasi është grumbulluar dhe ka shanse të luajë, por kjo nuk është e vendosur.
Trajneri Vilanova ka zgjedhur të riun Bartra për të luajtur në krah të Pikesë në qendër të mbrojtjes, pasi Maskerano është i pezulluar.
Tek Paris SG, Ibrahimoviç kërkon që ekipi i tij të shkruajë historinë, pra të fitojë në Barcelonë, ndërsa trajneri Karlo Ançeloti nuk shqetësohet për Mesin. Për të, ky është problem i Barçës, ndërsa ai shpreson që skuadra e tij të kualifikohet.