Champions nis marshimin drejt trofeut
Lorik Cana sërish kundër Liverpulit. Shorti i fazës së grupeve i Ligës së Kampioneve është treguar i pamëshirshëm për Olimpikun e Marsejës, por kujtimet janë të bukura për kapitenin shqiptar, teksa Marseja ka mundur të fitojë në Liverpul, por humbi në takimin e kthimit thellësisht në “Velodrom”. Olimpiku i Marsejës ra në një grup shumë të vështirë me skuadrën angleze Liverpul, holandezen PSV Eindhoven e spanjollen Atletiko Madrid. Drejtori sportiv i Marsejë, Zhoze Anigo i vetëdijshëm për forcën e ekipit të tij dhe beson te kualifikimi. Faza në grupe e Ligës së Kampioneve nuk ka dhuruar përballje shumë të forta në letër, pavarësisht se rivaliteti ka për të qenë me të vërtetë lartë. Short i lehtë për favoritët për të fituar kompeticionin. Barcelona nuk pritet të ketë aspak vështirësi, përballë rivalëve si Sportingu, Bazeli apo Shakhtjori. Ndërkohë, për Mançesterin ranë skuadra si Vilareali, Sëlltiku dhe Alborgu. Zikaltërit e Interit do të përballen me Verderin, Panathinaikosin dhe Anorthosis. Roma dhe Juventus nuk patën edhe aq fat, gjithsesi nuk mendohet se do të vënë në dyshim kualifikimin. Verdhekuqtë e Spaletit do ta kenë mjaft të vështirë me nënkampionët e Evropës, Çelsin, por edhe me francezët e Bordosë, të cilët rivalizuan Lionin deri në javën e fundit, në garën për titull. Ndërkohë, skuadra tjetër e grupit Kluj e Rumanisë. Ndërsa bardhezinjtë e Ranierit, rikthehen në Ligën e Kampioneve me përballje prestigjioze, pasi në grup kanë Realin e Madridit dhe rusët e Zenitit. Dy kundërshtarë me të vërtetë shumë të fortë, ndërkohë që ekipi i lehtë në letër është Bate Borisov. Italianët e tjerë, pikërisht ata të Fiorentinës, nuk do ta kenë edhe aq të lehtë aventurën e tyre evropiane, pasi shorti i vuri përballë me skuadra si Bajerni, Lioni dhe Steaua e Bukureshtit, duke mos u dhënë shumë shanse për kualifikim, pavarësisht se prej tyre pritet shumë. Grupi D është grupi që pritet të dhurojë edhe rivalitetin më të madh midis skuadrave. Liverpuli do përballet me kundërshtarë ambiciozë dhe mjaft të fortë si Marseja, PSV Eindhoven dhe Atletiko e Madridit. Katër ekipe që e kanë si kusht parësor kualifikimin, por që në fakt do të ketë bileta vetëm prej dy prej tyre. Interi duket se është më i kënaqur nga shorti. Murinjo thotë: “Shorti është short dhe nuk është në dorën tonë. Duhet të përballesh me këdo kundërshtar që do të bjerë dhe duhet të jesh i përgatitur. Ne jemi të kënaqur dhe jemi gati për të dhënë më të mirën tonë. Normale që kemi shumë besim dhe që jemi të motivuar. Mezi po presim të fillojmë aventurën tonë në Ligën e Kampioneve. Gjithsesi, gjërat nuk janë aq të lehtë sa mund të duken”. Blank, administratori i Juventusit mendon se nuk ka rënë në një grup i lehtë: “Do japim më të mirën tonë dhe do ia dalim mbanë. Juve-Real? Është rasti i duhur që ne të tregojmë se jemi rikthyer në nivelin e duhur për të kënaqur tifozët tanë. Ne do vazhdojmë punën e nisur dhe do arrijmë rezultate pozitive edhe në Ligën e Kampioneve. Jemi të bindur për këtë gjë”. Perri, shefi ekzekutiv i Liverpulit: “Liga e Kampioneve është një kompeticion shumë i vështirë dhe ne prisnim pa shqetësim çdo lloj përballje. Kemi kundërshtarë të fortë, por kemi gjithashtu besim në forcat tona. Për ne është i rëndësishëm vetëm fakti që marrim pjesë, pasi kemi treguar gjithmonë që nuk ka rëndësi kundërshtari që ke përballë, por potenciali i skuadrës tënde”. Roma do të përballet me Çelsin dhe Spaleti, trajneri i Romës, thotë: “Më duket një grup mjaft interesant dhe në fakt jam i kënaqur për kundërshtarët që do të kemi përballë. Skuadra e Çelsit është ajo që ka më shumë se të tjerat, por ne vijmë pas tyre, madje tashmë jemi me më shumë eksperiencë në Evropë dhe do kërkojmë të tregojmë se këtë vit jemi më të aftë për të arritur synimet tona, të cilat nuk janë aspak të vogla”.
Grupi A
Çelsi
Roma
Bordo
Kluj
Grupi B
Inter
Verder Bremen
Panathinaikos
Anorthosis
Grupi C
Barcelona
Sporting
Bazel
Shahktar
Grupi D
Liverpul
PSV Eindhoven
O.Marsejë
Atletiko Madrid
Grupi E
Mançester Junajted
Vijareal
Sëlltik
Aalborg
Grupi F
Lion
Bajern Munih
Steaua
Fiorentina
Grupi G
Arsenal
Porto
Fenerbahçe
Dinamo Kiev
Grupi H
Real Madrid
Juventus
Zenit
Bate Borisov
29 Gusht 2008